Putin pret Orbanin në Kremlin
01 shkurt 2022
| 12:44
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, të martën pritet në Moskë nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Temë e bisedimeve do të jetë siguria në Evropë, sikurse vë në dukje Kremlini, por edhe gazi rus dhe energjia.
Të dy politikanët do të takohen në kulmin e tensioneve në mes të Rusisë dhe Perëndimit për shkak të krizës së Ukrainës.
NATO-ja dhe shtetet perëndimore janë të shqetësuara dhe druajnë përgatitjet për një ndërhyrje të mundshme të Rusisë në vendin fqinj nisur nga lëvizjet masive të trupave ruse në kufirin me Ukrainën.
Kremlini i ka hedhur poshtë këto pretendime.
Takimi i kryeministrit të Hungarisë si vend i NATO-s me kreun e shtetit të Rusisë mund të krijojë dizonancë në aleancën ushtarake perëndimore.