
Putin thotë se Rusia pajtohet në parim me propozimin e SHBA-së për armëpushim në Ukrainë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë të enjten se Rusia pajtohet me propozimin e Shteteve të Bashkuara për armëpushim në Ukrainë, por shtoi se hollësitë duhet të zgjidhen dhe se çfarëdo marrëveshje që bëhet duhet të çojë drejt një paqeje afatgjate.
Në fillim të kësaj jave, delegacionet nga Kievi dhe Uashingtoni u pajtuan për një armëpushim 30-ditor, i propozuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë një takimi në Arabinë Saudite, shkruan Rel.
Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë të enjten me Kryeministrin irlandez, Micheal Martin, Trump shprehu besim për arritjen e një armëpushimi për Ukrainën, dhe i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, mbërriti në Moskë të enjten për të biseduar me Kremlinin për këtë çështje.
“Ne pajtohemi me propozimin për t’i ndalur luftimet. Por, ne nisemi nga fakti se kjo duhet të çojë drejt një paqeje afatgjate dhe duhet t’i zhdukë shkaqet rrënjësore të kësaj krize”, tha Putin të enjten.