Putini dëbon priftërinjtë që kundërshtuan luftën në Ukrainë
Gjatë më shumë se dy dekadave të tij në pushtet, Putini ka rritur masivisht pozitën e Kishës ortodokse ruse, duke rritur prestigjin, pasurinë dhe fuqinë e saj në shoqëri pas dekadash shtypjeje apo indiference nën udhëheqësit sovjetikë
(AP) – Duke qëndruar në kishën e vjetër ortodokse në Antalya me biblën në njërën dorë dhe qiririn në tjetrën, prifti Ioann Koval drejtoi shërbimin e tij të parë në Turqi pasi udhëheqja e Kishës Ortodokse Ruse vendosi ta shkarkonte atë pas lutjes së tij për paqe në Ukrainë.
Shtatorin e kaluar, kur presidenti Vladimir Putin urdhëroi mobilizimin e pjesshëm të rezervistëve, Patriarku i Moskës Kirill u kërkoi klerikëve të tij të luteshin për fitore. Duke qëndruar përpara altarit dhe dhjetëra famullitarëve të tij në një nga kishat e Moskës, Koval e sosi që të vendosë paqen mbi urdhrat e patriarkut.
“Me fjalën ‘fitore’ lutja fitoi kuptim propagandistik, duke formuar mendimin e duhur midis famullitarëve, klerikëve, për çfarë duhet të mendojnë dhe si duhet t’i shohin këto armiqësi”, thotë Koval. “Shkoi kundër ndërgjegjes sime. Nuk mund t’i nënshtrohesha këtij presioni politik nga hierarkia”.
Në lutjen që recitoi disa herë, prifti 45-vjeçar ndryshoi vetëm një fjalë, duke zëvendësuar “fitoren” me “paqen” – por ishte e mjaftueshme që gjykata e kishës t’i hiqte gradën e tij priftërore.
Ligji i ashpër
Të lutesh publikisht ose të bësh thirrje për paqe gjithashtu paraqet rrezik përndjekjeje nga shteti rus. Menjëherë pasi trupat ruse pushtuan Ukrainën, ligjvënësit miratuan legjislacionin që lejonte ndjekjen penale të mijëra njerëzve për “diskreditim të ushtrisë ruse”, akuzë që në realitet vlen për çdo gjë që bie në kundërshtim me narrativën zyrtare, qoftë koment në rrjetet sociale apo lutje në kishë.
Ngjashëm me regjimin autoritar të Putinit, Kirill ndërtoi hierarki të ashpër në kishë që kërkon konformitet të plotë, thotë Andrey Desnitsky, profesor i filologjisë në Universitetin Vilnius në Lituani. Nëse një prift refuzon të lexojë lutjen e patriarkut, besnikëria e tij është e dyshimtë.
“Nëse nuk je besnik, atëherë nuk ka vend për ty në kishë”, shton Desnitsky, ekspert i kishës ruse.
Kur filloi lufta, shumica e priftërinjve heshtën, nga frika e presionit nga kisha dhe autoritetet shtetërore; vetëm një pjesë e vogël ka folur. Nga më shumë se 40 mijë klerikë në Kishën ortodokse ruse, vetëm 300 priftërinj nënshkruan letrën publike duke bërë thirrje për paqe në Ukrainë.
Por secili prej zërave publikë kundër luftës është vendimtar, thotë Natallia Vasilevich, koordinatore për grupin e të drejtave të njeriut “Të Krishterët kundër Luftës”.
“Kjo thyen atë që duket të jetë pozicion monolit i Kishës Ortodokse Ruse”, thotë ajo.
Që nga fillimi i luftës, ekipi i Vasilevich ka numëruar të paktën 30 priftërinj ortodoksë që u përballën me presion nga autoritetet fetare ose shtetërore. Por mund të ketë edhe më shumë raste, thotë ajo, pasi disa priftërinj kanë frikë të flasin për represione, nga frika se do të përballen edhe me më shumë represion.
Heshtja e priftërinjve
Kisha ortodokse ruse shpjegon se represionet ndaj priftërinjve që folën kundër luftës janë ndëshkim për të ashtuquajturin angazhim të tyre në politikë.
“Kleri që kthehet nga priftërinj në agjitatorë politikë dhe persona që marrin pjesë në luftën politike, ata, padyshim, pushojnë së përmbushuri detyrën e tyre priftërore dhe u nënshtrohen ndalimeve kanonike”, thotë Vakhtang Kipshidze, nënkryetar i shërbimit të medias në Kishin Ruse.
Në të njëjtën kohë, priftërinjtë që mbështesin publikisht luftën në Ukrainë nuk përballen me pasoja dhe për më tepër mbështeten nga shteti, tha Vasilevich.
“Regjimi rus është i interesuar që këto zëra të tingëllojnë më të forta,” shtoi ajo.
Priftërinjtë që refuzojnë t’i bashkohen këtij kori ose të qëndrojnë të qetë, mund të ricaktohen, lirohen përkohësisht nga detyrat e tyre ose shkarkohen – duke humbur pagën, strehimin, përfitimet dhe më e rëndësishmja shërbesat e tyre për tufën e tyre.
“Unë kurrë nuk e vura në dyshim zgjedhjen që bëra”, thotë Koval. “Unë, gjithë shpirti im, gjithë qenia ime e kundërshtova këtë luftë. Ishte e pamundur për mua të mbështesja pushtimin e trupave ruse në Ukrainë me lutjen time”.
Pasi gjykata e Kishës Ortodokse Ruse vendosi që ai të shkarkohej, Koval iu drejtua Patriarkut Ekumenik Bartolomeu i Kostandinopojës, i cili ka pohuar të drejtën për të marrë peticione apelimi nga kleri i kishave të tjera ortodokse, mbi kundërshtimet e Rusisë.
Në qershor, Patriarkana e Kostandinopojës vendosi që Koval të dënohej për qëndrimin e tij ndaj luftës në Ukrainë dhe vendosi të rivendoste gradën e tij të shenjtë. Të njëjtën ditë, Bartolomeu e lejoi të shërbente në kishat e tij.
Imzot Ioann Burdin donte gjithashtu të largohej nga Kisha Ortodokse Ruse pasi foli kundër luftës në kishën e vogël pranë Kostromës dhe gjykata lokale e gjobiti për diskreditim të ushtrisë ruse. Ai i kërkoi patriarkut të miratonte transferimin e tij në Kishën Ortodokse Bullgare, por në vend të kësaj, Kirill e ndaloi atë nga shërbimi derisa prifti të kërkonte falje publike.
“Pozicioni im, të cilin fillimisht e deklarova në uebfaqe, pastaj në kishë, dhe më vonë gjatë gjyqit ishte një shprehje e bindjeve të mia fetare”, thotë prifti. “Meqenëse të gjithë njerëzit janë vëllezër, atëherë çdo luftë, çdo konflikt ushtarak, në një mënyrë apo në një tjetër bëhet vëllavrasëse”.
I pa lejuar të shërbente në kishë, Burdin i solli predikimet e tij në një kanal në Telegram ku ai udhëzon të krishterët ortodoksë të hutuar nga mbështetja e patriarkut për luftën.
Gjatë më shumë se dy dekadave të tij në pushtet, Putini ka rritur masivisht pozitën e Kishës Ortodokse Ruse, duke rritur prestigjin, pasurinë dhe fuqinë e saj në shoqëri pas dekadash shtypjeje apo indiference nën udhëheqësit sovjetikë.
Ndikimi i patriarkut
Nga ana tjetër, udhëheqësit e saj, si Patriarku Kirill, kanë mbështetur iniciativat e tij. Kisha ka hedhur peshën e saj pas luftës në Ukrainë dhe ka qenë e zakonshme të shohësh klerikët e saj duke bekuar trupat dhe pajisjet duke shkuar në betejë dhe duke thirrur bekimet e Zotit në fushatë.
Imzot Iakov Vorontsov, prift në Kazakistan, u trondit dhe u dëshpërua kur dëgjoi për herë të parë lajmin e luftës. Ai shpresonte se kisha do të ndërhynte për të ndërmjetësuar konfliktin. Por as bashkëmoshatarët dhe as eprorët e tij nuk i mbështetën thirrjet e tij për të predikuar paqen.
“E kuptova që askush nuk i dëgjon fjalët për paqen”, thotë prifti 37-vjeçar. “Duhej të ishte përcjellë te populli, te kopeja jonë, por nuk ishte. Dhe më pas kuptova se kam një mjet tjetër: rrjetet sociale”.
Ndërsa postimet e tij kundër luftës në Facebook morën mbështetje në internet, reagimi jashtë rrjetit ishte armiqësor. Eprorët e tij e ricaktuan disa herë, e ndaluan të jepte predikime dhe u thanë famullitarëve që të qëndronin larg tij. Në fund, prifti humbi shpresën dhe vendosi të ndalojë përkohësisht shërbimin në Kishën Ortodokse Ruse.
“Ata donin që unë të largohesha dhe në fund ia dolën”, thotë prifti, i ulur në banesën e tij pa një mantel të zi që kishte veshur për 13 vitet e fundit. “Por unë nuk hoqa dorë nga grada, thjesht vendosa për momentin që nuk mund të jem mes këtyre njerëzve në këtë situatë”.
Ndikimi i patriarkut shkon shumë përtej kufijve të vendit të tij dhe urdhrat e tij zbatohen edhe për priftërinjtë që shërbejnë jashtë vendit. Në shkurt, Kirill pezulloi për tre muaj Andrei Kordochkin, prift në një kishë ortodokse në Madrid, për qëndrimin e tij kundër luftës.
Kipshidze thotë se Kordochkin u ndëshkua për “nxitje të urrejtjes” mes famullisë së tij. Por prifti thotë se është paralajmërim për ta larguar atë nga kritikat e mëtejshme.
“Unë nuk mendoj se ka diçka që kam bërë gabim në mënyrë kanonike”, thotë Kordochkin. “Nëse nuk ka krim kanonik, atëherë kjo do të thotë se e drejta kanonike përdoret thjesht si një mekanizëm i represionit politik”.
Që në ditët e para të luftës, Kordochkin ka dënuar publikisht pushtimin rus dhe është lutur rregullisht për paqen në Ukrainë. Ai beson se priftërinjtë nuk duhet të heshtin dhe duhet t’u përcjellin njerëzve një mesazh të krishterë.
“Ne kemi për detyrë të flasim hapur, pavarësisht nga kostoja e kësaj”.