Putini e paraqet Ukrainën sikurse Millosheviqi dikur Kosovën
Ish-kryeministri britanik Boris Johnson gjatë një interviste dhënë për “Sky News” e ka krahasuar presidentin rus Vladimir Putin me ish-presidentin e Serbisë, njëherësh i akuzuar për krime lufte, Sllobodan Millosheviqin.
Ai tha se Putini ka gabuar në “mënyrë katastrofike” kur vendosi ta sulmojë Ukrainën.
“Të gjithë ne në qeverinë britanike kemi lexuar esenë e tij për Ukrainën, që e publikoi verën e kaluar. Ai në mënyrë thelbësore e vlerësoi gabimisht Ukrainën. Ishte sikur të lexonit për Sllobodan Millosheviqin që fliste për Kosovën”, shtoi Johnson.
“Millosheviqi mendonte që Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë së madhe dhe atdheu shpirtëror i kombit serb. Mendoj se Putini mendon njëjtë për Kievin dhe origjinën e besimit ortodoks”, theksoi ish-kryeministri britanik.
“Është një gabim total. Ukraina është një kulturë evropiane e lirë dhe e pavarur me identitetin e saj, me ambiciet dhe fatin e saj. Ai bëri një gabim thelbësor”, tha për fund Johnson.