Putini edhe gjashtë vjet në krye të Rusisë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do ta udhëheqë këtë vend edhe për gjashtë vjet, pasi ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet presidenciale të së dielës.
Me gati të gjitha votat e numëruara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka thënë se Putini ka fituar 76.67 për qind të tyre, ndërsa pjesëmarrja në votime ka qenë 67.47 për qind.
Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, kandidati i Partisë Komuniste, Pavel Grudinin, ka dalë i dyti me 11.82 për qind, i ndjekur nga ultranacionalisti Vladimir Zhirinovsky me 5.68 për qind dhe gazetarja Ksenia Sobchak me 1.66 për qind.
Katër kandidatët e tjerë kanë pasur 1 për qind ose më pak.
Putini, 65 vjeç, i është adresuar masës përpara Kremlinit, një orë para mesnatës së shkuar, duke i falënderuar votuesit për mbështetjen.
“Ne jemi patjetër të destinuar për të arritur sukses, apo jo? Faleminderit shumë. Së bashku do të bëjmë punë të madhe, në emër të Rusisë”, ka thënë Putini.
Duke folur për gazetarët, Putini ka thënë se nuk planifikon të ndryshojë Kushtetutën e Rusisë tash për tash.
Kufizimi ekzistues i dy mandatave të njëpasnjëshme presidenciale nënkupton që Putin nuk do të mund të garojë sërish për president në vitin 2024, pa e ndryshuar Kushtetutën, por do të mund ta bënte një gjë të tillë në vitin 2030.
“Tani për tani nuk po planifikoj ndonjë reformë kushtetuese”, ka thënë Putini.
Ndër udhëheqësit e parë që kanë përgëzuar Putinin për fitoren kanë qenë presidenti i Kinës, Xi Jinping, Nursultan Nazarbaev i Kazakistanit, Alyaksandr Lukashenka i Bjellorusisë, Abdel Fattah al-Sissi i Egjiptit dhe Nicolas Maduro i Venezuelës.