Putini ia jep Urdhrin e Miqësisë Vulinit
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka ndarë Urdhrin e Miqësisë për ish-drejtorin e Agjencisë serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Aleksandër Vulin.
Lajmi është bërë me dije nga Lëvizja e Socialistëve, që është themeluar nga Vulini.
Sipas njoftimit, Vulini është nderuar “për kontributin e madh të dhënë për zhvillimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit mes BIA-s dhe Shërbimit të Huaj të Inteligjencës të Rusisë (SVR) në fushën e garantimit të sigurisë shtetërore dhe të mbrojtjes së interesave kombëtare të Serbisë dhe Rusisë”.
Lëvizja e Socialistëve ka njoftuar se i dërguari i Putinit, drejtori i Shërbimit të Huaj të Inteligjencës ruse, Sergei Naryshkin, ia ka dhënë urdhrin Vulinit në selinë e këtij shërbimi në Moskë.
Naryshkin, sipas njoftimit, ka thënë se Vulini e meriton këtë çmim për shkak të përpjekjeve të tij të vazhdueshme që synojnë të zhvillojnë raportet ruso-serbe dhe bashkëpunimin e shërbimeve të inteligjencës së Rusisë dhe Serbisë.
Vulini ka vazhduar të mbajë kontakte të drejtpërdrejta me zyrtarët rusë edhe pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Vetëm dy ditë më parë, Vulin po ashtu është nderuar nga drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë, gjenerali i ushtrisë, Alexander Bortnikov.
Bortinikov ia ka ndarë Vulinit urdhrin për profesionalizëm të lartë dhe kontribut në bashkëpunimin midis shërbimeve serbe dhe ruse. Ai këtë urdhër e ka pranuar në selinë e këtij shërbimi rus në Moskë më 28 janar.
Vulini për një kohë të gjatë ka qenë partner i koalicionit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, deri së voni sa ishte në krye të BIA-s.
Në korrik të vitit 2023, Shtetet e Bashkuara e futën në listën e sanksioneve nën dyshimet për përfshirje në korrupsion dhe trafikim me drogë, si dhe për lidhje me Rusinë.
Më 3 nëntor 2023, Vulini ka dhënë dorëheqje nga udhëheqja e BIA-s, duke argumentuar se ai nuk kishte të drejtë të “sakrifikonte Serbinë” duke qëndruar në këtë post.
Në të kaluarën ai ka mbajtur disa poste politike, nga posti i shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe e deri tek udhëheqja e dikastereve të mbrojtjes dhe çështjeve të brendshme dhe në fund ka shërbyer si kryespiun. /REL