Putini ka dështuar në gjithçka, tani do humbasë edhe Donbasin dhe Krimenë
Nga Martina Piumatti “Il Giornale”
Buzëqeshja e tensionuar e Vladimir Putinit dhe shtrëngimi i dobët i duarve me liderin kinez Xi gjatë samitit në Samarkand foli shumë. Kundërofensiva ukrainase po zhbën brenda pak ditësh përfitimet territoriale ruse në 7 muaj luftë, teksa Kina është e kujdesshme të mos i japë Moskës më shumë sesa një mbështetje formale.
Ndërkohë Cari është gjithnjë e më i izoluar edhe në shtëpi, teksa efektet e sanksioneve perëndimore kanë nisur ta dërrmojnë ekonominë ruse, në një kohë që shantazhi i tij me gazin nuk e ka përçarë koalicionin euroatlantik, sikurse shpresonte Kremlini.
Tani gjenerali Ben Hodges, ish-komandanti suprem i ushtrisë amerikane në Evropë, i cili ishte i pari që parashikoi kundërsulmin e suksesshëm të Kievit, thotë se deri në fund të këtij viti, ukrainasit do t’i arrijnë t’i sprapsin rusët të paktën deri në linjën e frontit të para 24 shkurtit, dhe do të arrijnë ta çlirojnë gadishullin e Krimesë deri në mesin e vitit të ardhshëm.
Që nga fundi i muajit gusht, Kievi ka rimarrë më shumë terren sesa ka fituar Rusia në më shumë se 7 muaj luftë. Ju ishit i pari që e parashikuat këtë gjë…
Kundërofensiva e suksesshme e Ukrainës është rezultat i një kombinimi të disa faktorëve.
Së pari është planifikimi profesional dhe i detajuar nga forcat ukrainase. Së dyti, pati sukses bllofi i tyre në lidhje në pikën nga do të fillonte sulmi.
E treta ka të bëjë me sigurinë operacionale, dhe përdorimin me shumë efektivitet të armëve të dërguara nga Perëndimi, sidomos ato me rreze të gjatë dhe saktësi të madhe të përdorura për të shkatërruar shtabet e komandës dhe bazat logjistike ruse. Së fundi, ukrainasit patën përballë një ushtri ruse të shkatërruar, dhe që në shumë raste e ka humbur vullnetin për të luftuar.
A kontribuan në këtë sukses edhe sanksionet?
Sanksionet e vendosura nga ne kanë luajtur një rol kyç. Rusët nuk mund të prodhojnë më armë të saktësisë së madhe, pasi shumë nga elementët më të rëndësishëm përbërës duhet të importohen nga jashtë, dhe kjo nuk është më e mundur.
Për shembull, në rastin e raketave ruse Iskander, importohet 85 për qind të elementëve. Po ashtu edhe për pjesë këmbimi për aviacionit dhe çelikun e cilësisë së lartë që nevojitet për prodhimin e tytave të reja të artilerisë, si dhe për mikroçipet e ndryshme.
Humbja e mundshme në Ukrainë, e kombinuar me efektet e sanksioneve në ekonomi, po shkaktojnë një pakënaqësi të madhe brenda Rusisë. A është në rrezik pushteti i Putinit?
Vladimir Putin ka pasur 2 javë vërtet të vështira:nga tërheqja e ushtrisë ruse nën presionin e kundërofensivës së Kievit, nga poshtërimi që iu bë nga ‘disa miq’, që e lanë t’i priste për disa minuta në Samarkand, nga një video e re e Grupit të mercenarëve Vagner që rekrutonte të burgosur për të luftuar në Ukrainë, por edhe kritikat publike nga disa figura të shquara në Rusi, përfshirë këngëtaren më të famshme të muzikës pop.
Këtyre u shtohet edhe refuzimi i propozimit të Moskës për ta penguar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të fliste nëpërmjet një lidhje direkte video në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. India votoi kundër ndërsa Kina abstenoi.
Pra në mesin e katastrofës së ushtrisë ruse në Ukrainë, për shkak të një politike të gabuar ushtarake, dhe ndikimit në rritje të sanksioneve në ekonominë ruse, besoj se Kremlinin e presin muaj shumë të vështirë përpara.
Duke pasur parasysh largpamësinë tuaj të njohur, çfarë mendoni do të ndodhë më tej?
Ukraina do ta rivendosë sovranitetin e saj mbi të gjithë territorin e saj, duke përfshirë rajonin e Donbasit dhe atë të Krimenë, pas mposhtjes së forcave ruse. Deri në fund të këtij viti, ukrainasit do të arrijnë t’i sprapsin rusët në vijën e kontaktit të 23 shkurtit (linja e vendosur pas pushtimit të vitit 2014), dhe do të arrijnë të çlirojnë Krimenë deri në mesin e vitit 2023.
Megjithatë, për të destabilizuar vendet perëndimore ,Rusia po nuk kufizohet vetëm me luftë në terren. Ajo por përdor edhe tek sulmet kibernetike kundër infrastrukturave strategjike, shantazhet me gazin e saj, si dhe fushata e keqinformimit…
Rusia ka dështuar në gjithçka. Perëndimi mbeti i bashkuar, sigurisht jo në mënyrë perfekte, por gjithsesi të qëndrueshme, pavarësisht presionit ekonomik që erdhi nga Moska, shantazhit të saj me furnizimet e saj me gaz por edhe tentativave për keqinformim. Besueshmëria e Kremlinit është diskretituar, dhe askush nuk beson më tek njoftimet apo kërcënimet e tij.
Ndërkohë, një kërcënim tjetër nderet mbi ekuilibrin gjeopolitik:Kina. A do të jetë Tajvani preteksti për një përplasje ballore midis Pekinit dhe Uashingtonit?
Kina po e vëzhgon nga afër luftën, për të parë nëse Perëndimi do të jetë apo jo në gjendje që ta ndalojë Putinin në Ukrainë. Dhe në rast se nuk e bëjmë këtë, unë mendoj se çdo gjë që do të themi për Tajvanin nuk do t’i bënte aspak përshtypje Pekinit.
Drejtori i CIA-s sapo ka zbuluar se presidenti kinez Xi Jinping është gati ta pushtojë Tajvanin deri në vitin 2027, që është viti i fundit i mandatit të tij të tretë, të cilin siç besojnë të gjithë, ai do ta marrë gjatë Kongresit XX të Përgjithshëm të Partisë Komuniste Kineze që do të mbahet në mesin e muajit tetor.
Xi e sheh si trashëgiminë e tij më të vyer ribashkimin e Taipeit me Kinën kontinentale. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që ne t’i dërgojmë një mesazh të fortë Pekinit, mbi aftësitë dhe vendosmërinë tonë për të mbrojtur rendin demokratik kundër çdo lloj autokracie.