Putini lë të hapur mundësinë e pushtimit të vendeve të tjera

10 qershor 2022 | 12:50

Dyshimet se Vladimir Putin nuk ka ndërmend të ndalet në Ukrainë duke u përpjekur të zgjerojë territorin e Rusisë kanë formuar një sfond të luftës që kur ai urdhëroi forcat e tij të kalonin kufirin më 24 shkurt.

Komentet televizive të bëra dje nga Presidenti rus vetëm kanë nxitur frikëra të tilla.

“Pjetri i Madh bëri Luftën e Madhe të Veriut për 21 vjet. Duket se ai ishte në luftë me Suedinë, ai mori diçka prej tyre. Ai nuk u mori asgjë, në fakt ai ktheu atë që ishte e Rusisë”, tha ai pas një vizite në një ekspozitë kushtuar carit.

Kur Peter themeloi kryeqytetin e ri, “asnjë vend evropian nuk e njohu atë si Rusi. Të gjithë e njohën atë si Suedi,” tha zoti Putin.

“Çfarë bëri Pjetri? E mori dhe e përforcoi. Kjo është ajo që ai bëri.”

Ai më pas e krahasoi fushatën e Pjetrit me detyrën me të cilën përballet Rusia sot.

“Me sa duket na ra edhe neve që të kthejmë atë që është e Rusisë dhe të forcojmë vendin. Dhe nëse ecim nga fakti se këto vlera themelore përbëjnë bazën e ekzistencës sonë, sigurisht që do të kemi sukses në zgjidhjen e detyrave që ne kemi.”

Dhe në komentet e tij ndoshta më ogurzeza në këtë ngjarje, Presidenti Putin dukej se e la të hapur derën për zgjerim të mëtejshëm territorial rus, shkruan Sky News.

“Është e pamundur – e kuptoni? – e pamundur të ndërtohet një gardh rreth një vendi si Rusia. Dhe ne nuk kemi ndërmend ta ndërtojmë atë gardh,” tha ai.

Putin, tani në vitin e tij të 23-të në pushtet, ka kërkuar vazhdimisht të justifikojë veprimet e Rusisë në Ukrainë, ku forcat e tij kanë shkatërruar qytete, kanë vrarë mijëra njerëz dhe kanë larguar miliona persona.

Pjetri i Madh, një modernizues autokratik i admiruar nga rusët liberalë dhe konservatorë, sundoi për 43 vjet dhe i dha emrin e tij një kryeqyteti të ri, Shën Petersburg – vendlindja e Putinit – që ai urdhëroi të ndërtohej në tokën që pushtoi nga Suedia.

Ishte një projekt që u kushtoi jetën dhjetëra mijëra personave, të rekrutuar si punëtorë të detyruar për të ndërtuar “dritaren drejt Evropës” të Pjetrit në kënetat e bregut të Detit Baltik.

Para vizitës së Putinit në ekspozitë, televizioni shtetëror transmetoi një dokumentar që vlerësonte Pjetrin e Madh si një udhëheqës ushtarak të ashpër, duke zgjeruar në masë të madhe territorin rus në kurriz të Suedisë dhe Perandorisë Osmane me ushtrinë dhe marinën e modernizuar që ai ndërtoi./abcnews.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Levante këtë sezon ra nga La Liga dhe aktualisht ka…