Putini lejon kriminelët t’i bashkohen ushtrisë
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një ligj që lejon të mobilizohen personat që kanë kryer krime të rënda, teksa Kremlini po vazhdon të grumbullojë trupa për luftën e saj në Ukrainë pasi është përballur me ngecje.
Duke folur para disa të rinjve dhe vullnetarëve në Moskë më 4 nëntor, Putini ka thënë se 318 mijë persona i janë bashkuar luftës qëkur u shpall mobilizimi në shtator, përfshirë edhe 18 mijë vullnetarë.
Ky fjalim i Putinit vjen po të njëjtën ditë që ai nënshkroi një ligj që lejon mobilizimin e personave që kanë të kaluar kriminale, përfshirë edhe ata që kanë kryer krime të rënda. Nga mobilizimi janë përjashtuar personat e dënuar për krime seksuale ndaj fëmijëve, për tradhti, spiunim apo terrorizëm.
“Me sa e di unë, 49 mijë nga të mobilizuarit veçse kanë kryer detyra luftarake, ndërkaq të tjerët janë duke u trajnuar”, ka thënë Putini.
Rusia fillimisht ka pushtuar territore të mëdha të Ukrainës, pasi ka nisur pushtimin në shkurt, por për muaj të tërë Kremlini ka pësuar humbje të mëdha të ushtarëve dhe territoreve, për shkak të dy kundërofensivave ukrainase.
Ngecjet në fushëbetejë, që ia kanë vështirësuar Rusisë mbajtjen e fronteve në pjesën jugore dhe lindore të Ukrainës që ende janë të pushtuara, e kanë detyruar Kremlinin që të shpallë mobilizim dhe gjithnjë e më shumë po varet nga mercenarët apo trupat çeçene për të mbushur radhët.
Bashkëpunëtori i Putinit, udhëheqës i grupit privat ushtarak Vagner, Yevgeny Prigozhin, raportohet se ka rekrutuar mijëra të burgosur rusë për luftën në Ukrainë.
Putini ka thënë më 4 nëntor se vazhdojnë përpjekjet për rekrutimin e vullnetarëve, pavarësisht shumë treguesve se mobilizimi nuk është popullor në Rusi.
Dhjetëra mijëra rusë janë larguar nga shteti menjëherë pasi është shpallur mobilizimi, teksa ka pasur edhe disa protesta sporadike – që janë shtypur menjëherë nga forcat e sigurisë – në shumë pjesë të Rusisë.
Ndërsa dhjetëra video të publikuara tregojnë se ata që janë mobilizuar po ankohen se ka mungesë të ushqimit, veshjeve, pajisjeve dhe ndërtesave të banimit.
Disa po ankohen se nuk kanë shërbyer asnjë herë në ushtri, por gjithsesi janë rekrutuar, teksa Putin ka thënë se vetëm rusët që kanë shërbyer në ushtri dhe që kanë përvojë ushtarake do të mobilizohen.
Ushtarët e vendosur në qytetin Uljanovsk më 4 nëntor kanë konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se pothuajse 2 mijë ushtarë të mobilizuar nga Republika Çuveshia e Rusisë është lejuar të vizitonin shtëpitë e tyre, pasi ata janë rebeluar dhe kërkuan të paguheshin për shërbimin e tyre.
Autoritetet lokale në rajonet ruse të Vladimirit, Rostovit, Samarës, Burjatisë dhe Bashkortostanit kanë detyruar studentët dhe shkollat e universitetet lokale që të qepin uniforma ushtarake për ushtarët rusë.