Putini njeh pavarësinë e dy rajoneve ukrainase

21 shkurt 2022 | 21:06

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Rreth vendimit për të njohur rajonet Donetsk dhe Luhansk është informuar lideri francez, Emmanuel Macron dhe ai gjerman, Olaf Scholz, është thënë në deklaratën e Kremlinit.

Putin e ka nisur fjalimin e tij para kombit duke diskutuar për historinë dhe duke thënë se Ukraina moderne është “krijuar” nga Rusia.

Ndërkohë që Putin ka pasur adresimin, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë cituar trupat qeveritare të Ukrainës të kenë thënë se në vijën e parë të frontit në lindje të Ukrainës, janë rritur të shtënat me armë të rënda nga separatistët.

Putin ka nënshkruar dokumentet dhe i ka kërkuar Parlamentit rus që të ratifikojë vendimin sa më shpejt që është e mundur.

Liderët e Perëndimit kanë paralajmëruar për pasoja të rënda nëse Rusia njeh pavarësinë e rajoneve Luhansk dhe Donetsk.

Diplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se Bashkimi Evropian është i përgatitur për të vepruar ashpër nëse Putin ofron njohje të pavarësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në një takim…