
Putini nominon Medvedevin për kryeministër
07 maj 2018
| 14:38
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e ka nominuar Dmitry Medvedevin edhe për një mandat si kryeministër i këtij vendi.
Siç ka njoftuar Kremlini, vendimi i presidentit është dërguar në Dhomën e Ulët të Parlamentit, pak kohë pasi Putini është inauguruar edhe për një mandat gjashtëvjeçar në postin e shefit të shtetit.
Duma shtetërore pritet që ta shqyrtojë nominimin më 8 maj.
Duket se vendimi i Putinit do të miratohet nga Duma shtetërore, e cila dominohet nga partia në pushtet, Rusia e Bashkuar.
Sipas Kushtetutës së Rusisë, Qeveria është e obliguar që të japë dorëheqje kur fillon mandati i ri i presidentit.
Në Rusi, kryeministri është numri dy në hierarkinë e shtetit dhe kryesisht ka përgjegjësi për çështjet ekonomike dhe i përgjigjet presidentit.