Putini paralajmëron ‘garë të re armësh’
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se tërheqja e Uashingtonit nga Traktati për Armët Bërthamore, i nënshkruar dekada më parë, mund të nxisë “garë armësh” dhe se Kremlini do të paraqesë vendimin amerikan para Kombeve të Bashkuara për një votim simbolik.
Duke iu përgjigjur vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u tërhequr nga Pakti i vitit 1987 për raketat me rreze të mesme veprimi, Putin, ka thënë më 24 tetor se, Shtetet e Bashkuara tashmë kanë braktisur Traktatin për Raketa Anti-Balistike më 2002 dhe nuk kanë treguar gatishmëri për të diskutuar vazhdimin e një Traktati të ri bërthamor, afati i së cilës skadon më 2021.
“Nëse gjithçka shpërbëhet, atëherë nuk mbetet asgjë për të diskutuar rreth kufizimit të rritjes së armëve”, ka thënë Putin në një konferencë për media në Moskë, pasi ka takuar kryeministrin italian, Giuseppe Conte.
“Dhe më pas situata do të jetë, sipas pikëpamjes sime, jashtëzakonisht e rrezikshme. E gjitha çka mbetet është gara me armë”, ka thënë Putin.