Putini “pensionon” gjeneralin Armagedon, dyshohet se e shiti te grupi Wagner
Presidenti rus Vladimir Putin ka shkarkuar gjeneralin Sergei Surovikin nga posti i kreut të forcave ajrore të vendit.
Thashethemet për këtë filluan të qarkullonin një javë më parë, por gazetari Alexei Venediktov tha në kanalin e tij Telegram se Surovikin, të cilit Putini i besoi edhe pushtimin e Ukrainës, është larguar tashmë me dekret zyrtar.
Por, kush është Sergei Surovikin?
Gjeneralit të cilit iu besua drejtimi i trupave në luftë pak muaj më parë, nuk është parë më në publik që rebelimi jetëshkurtër i grupit Wagner ndaj Kremlinit në qershor.
Që nga rebelimi, raportet e lajmeve ruse dhe të huaja kanë thënë se gjenerali Surovikin po hetohej për bashkëpunim të mundshëm në Yevgeny Prigozhin për të rrëzuar Putinin nga pushteti.
Komandanti i egër, që mori nofkën “Gjenerali Armagedon” nga shtypi rus njihet për taktikat e tij agresive në konfliktin sirian.
Ai është një veteran ushtarak që shërbeu në luftën e Bashkimit Sovjetik me Afganistanin gjatë viteve ’80.
55-vjeçari po ashtu mbahet mend pasi dha urdhrin që trupat të hapnin zjarr ndaj protestuesve pro-demokracisë në vitin 1991 në Moskë, kur tre persona u vranë gjatë ditëve të fundit të Bashkimit Sovjetik.
Ai drejtoi forcat ruse gjatë Luftës Siriane në 2017, ku akuzohet për bashkëpunim në bombardimet pa dallim të luftëtarëve të opozitës dhe për mbikëqyrjen e sulmeve me armë kimike, që i mundësuan qeverisë së Bashar al Assad të rimerrte kontrollin e pjesës më të madhe të vendit.
Gjatë kryengritjes së armatosur të Prigozhin, ai u bëri thirrje luftëtarëve të Wagner-it që të ktheheshin në bazë dhe t’i bindeshin Vladimir Putinit, por kjo deklaratë e tij bëri që në Kremlin të dyshonin për atë çfarë dinte gjenerali Surovikin.
Një raport i New York Times, bazuar në një konferencë të inteligjencës amerikane, tha të martën se ai kishte njohuri paraprake për kryengritjen dhe se autoritetet ruse po verifikojnë nëse ai ishte bashkëpunëtor në grushtin e shtetit.
Disa media ruse kanë raportuar se gjenerali Surovikin që atëherë është arrestuar, por kjo nuk është arritur të verifikohet nga Perëndimi.