Putini, Pushkini dhe rënia e Perandorisë Ruse
Nga: Timothy Garton Ash / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala
Muajin e kaluar kam qëndruar në cep të asaj që dikur ishte Rruga “Pushkin” në Kiev. Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Vladimir Putini në vitin 2022, ajo është riemërtuar në Rrugën “Jevhen Çikalenko” – sipas figurës kryesore të lëvizjes për pavarësinë e Ukrainës në fillim të shekullit XX. Për dashamirët e letërsisë dhe të operës, mund të duket pak i tepërt anulimi i Aleksandër Pushkinit – poetit dhe autorit të Eugjen Onjeginit. Putini po, por pse Pushkini?
Megjithatë, për ukrainasit e përfshirë në luftën ekzistenciale për pavarësi kundër luftës së rikolonizimit të Rusisë, Pushkini është simbol i imperializmit rus që prej kohësh ka mohuar të drejtën e Ukrainës për ekzistencë të veçantë kombëtare. Pushkini ishte poet i madh, por edhe poet i imperializmit rus – ashtu si Rudyard Kiplingu që ishte poet i madh, por një poet i imperializmit britanik.
[Poema] Poltava e Pushkinit e përshkruan Ivan Mazepën, hetmanin [prijësin ushtarak] kozak ukrainas, si një tradhtar ojnatar të carit heroik rus, Pjetrit të Madh, i cili megjithatë triumfoi mbi suedezët në Betejën e Poltavës të vitit 1709 – dhe 12 vjet më vonë zyrtarisht e themeloi Perandorinë Ruse.
Teksa vitin e kaluar forcat ruse e bombarduan Ukrainën, një video e shpërndarë në rrugë zyrtare e shfaqte ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke i recituar vargjet e Shpifësve të Rusisë të Pushkinit, një poezi që shpërthen kundër mbështetësve perëndimorë të sllavëve që rebelohen kundër Rusisë. Pamjet në fotot e presidentit amerikan, Joe Biden, si dhe të Samitit të G7-shit, e qartësojnë këtë mesazh. Kur forcat ruse e pushtuan Hersonin, tabelat me Pushkinin u vendosën në kuadër të fushatës propagandistike që shpallte se Rusia është “përgjithmonë këtu”.
Nuk është çudi se pse, në mediat sociale, disa ukrainas sulmet me raketa në qytetet e veta tani i cilësojnë si “pushkiniste”. Për shembull: “Pushkinistët nuk na lejuan të flinim siç duhet – kishte shumë zhurmë në Kiev”. (Pas disa orëve të vona të natës, në një strehë për mbrojtje ndaj sulmeve ajrore, unë vetë nuk u ndjeva aq miqësor me pushkinistët.)
Është një histori shumë më e madhe prapa këtij refuzimi ukrainas të Pushkinit. Me një vështrim prapa, mund të shohim se rënia e Perandorisë Ruse ka qenë një nga shtytëset më të mëdha të historisë evropiane gjatë 40 vjetëve të fundit. Dhe, nëse shohim para, duhet të presim se do të mbetet një prej sfidave më të mëdha të Evropës – për të paktën 20 vitet e ardhshme, nëse jo 40 të tjera.
Pas Revolucionit Rus të vitit 1917, Perandoria Ruse vazhdoi në një formë mjaft të veçantë, si Bashkimi Sovjetik. Kur Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike u themelua në vitin 1922, Lenini kishte vendosur se duhet të jetë shtet i barazisë nacionale, mes republikave përbërëse të bashkimit. (Stalini, ashtu si Putini njëqind vjet më vonë, donte që Ukraina të jetë pjesë e Federatës Ruse.) Pas Luftës së Dytë Botërore, ky version i ri i perandorisë dominoi në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore – deri te Perdja e Hekurt që kaloi në mes të Gjermanisë. Nga Varshava në Uashington, njerëzit e panë si perandori sovjetike dhe ruse.
Në vitet 1970, kjo superfuqi perandorake dukej ende si rival i frikshëm i ShBA-së, madje edhe në pjesë të Afrikës dhe të Amerikës Latine – por, në vitet 1980 veçse ishte në rënie të dukshme. Përpjekjet për reforma të Mihail Gorbaçovit e arritën kulmin, mes viteve 1989 dhe 1991, me rënien më spektakolare paqësore të çdo perandorie në histori. Ky kolaps e shpërbëri jo vetëm kontrollin sovjetik/rus të Evropës Qendrore dhe Lindore, por edhe lidhjet shumë më të vjetra perandorake midis Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë. Në mënyrë të pazakontë, dhe pikërisht për shkak të marrëdhënieve komplekse midis sovjetikëve dhe rusëve, ishte udhëheqësi i kombit kryesor perandorak, Boris Jelcini i Rusisë, ai që ia dha shkelmin e fundit.
Në mënyrë naive, shumëkush në Perëndim supozoi se ky ishte fundi i historisë, por perandoritë në rënie nuk dorëzohen pa luftë. Shenjat e para të sulmit veçse u panë në vitin 1992, me pushtimin e ushtrisë ruse të asaj që ende është territor separatist i Transnistrisë – në skajin lindor të shtetit të ri sovran të Moldavisë – si dhe më pas me dy luftërat brutale për ta nënshtruar Çeçeninë përbrenda Federatës Ruse.
Më pas, perandoria me vendosmëri u kundërpërgjigj përtej kufijve ndërkombëtarë, me pushtimin e dy zonave të mëdha të Gjeorgjisë në vitin 2008, me aneksimin e Krimesë dhe me fillimin e luftës në Ukrainën lindore në vitin 2014, si dhe me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Në fjalimet dhe esetë e veta, udhëheqësi rus e bëri krejtësisht të qartë se pika kryesore e tij e referencës është Perandoria Ruse. I befasuar nga vendimi i shefit – gjatë shkurtit të kaluar – thuhet se një miku oligark ministri i Jashtëm Lavrov ia pëshpëriti fjalët se Putini i ka vetëm tre këshilltarë: “Ivanin i Tmerrshëm. Pjetrin e Madh. Dhe, Ekaterinën e Madhe”.
Kjo histori nuk do të përfundojë, edhe nëse Ukraina rifiton çdo metër katror të territorit të vet sovran, përfshirë këtu Krimenë. Do të jetë pastaj Bjellorusia, një vend me më shumë se nëntë milionë banorë që në fillim të kësaj dekade ishte dëshmitare e një prej përpjekjeve më të qëndrueshme të rezistencës civile – në historinë moderne – kundër sundimit gjithnjë e më autokratik të presidentit Aleksandër Lukashenko. Janë pastaj shtetet e pavarura post-sovjetike të Moldavisë, Gjeorgjisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe ato në Azinë Qendrore. Brenda Federatës Ruse janë republikat si Çeçenia, Dagestani dhe Tatarstani. Për momentin, lideri çeçen Ramzan Kadirov është një nga xhelatët më besnikë të Putinit, por nëse Rusia hyn në një “periudhë të telasheve”, Kadirovi mund të fillojë të bëjë llogaritje të tjera.