Putini: Rusia pezullon pjesëmarrjen në traktatin me ShBA-në për armët bërthamore
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se Rusia do ta pezullojë pjesëmarrjen në traktatin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) që kufizon arsenalin strategjik bërthamor të të dyja palëve.
“Në këtë aspekt, jam i detyruar të njoftoj se Rusia është duke e pezulluar pjesëmarrjen në traktatin për armët strategjike”, ka thënë Putin në fjalimin para kombit.
Ai ka thënë se Rusia nuk po tërhiqet nga marrëveshja, mirëpo vetëm po e pezullon pjesëmarrjen.
Putini ka thënë, po ashtu, se Rusia duhet të jetë e gatshme që të testojë armët bërthamore, nëse Shtetet e Bashkuara e kryejnë të parat një testim të tillë.
I ashtuquajturi START-i i Ri, është traktati i vetëm për armët bërthamore në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, i cili është zgjatur për pesë vjet më 2021, raporton “Rel”.
I nënshkruar fillimisht më 2010, ky traktat ua kufizon palëve posedimin e kokave bërthamore me rreze të gjatë në 1.550, shifër më e vogël sesa ajo që ka qenë në marrëveshjen fillestare.
Në fjalimin që zgjati mbi dy orë para kombit, Putini është zotuar se do të vazhdojë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe e ka akuzuar aleancën e NATO-s për nxitje të konfliktit, me “besimin e gabuar” se mund ta mposhtë Rusinë.
I rrethuar me flamuj rusë, Putini i është drejtuar kombit duke thënë se Rusia “do t’i zgjidhë me kujdes detyrat që ka para vetes”.
Putini ka thënë se Rusia ka bërë gjithçka për ta shmangur luftën, mirëpo Ukraina, e përkrahur nga Perëndimi, ka planifikuar që ta sulmojë Krimenë.
Rusia e ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014, ndonëse ky veprim nuk njihet nga Perëndimi.
Putini ka thënë se Perëndimi e ka lëshuar xhindin nga shishja në disa rajone në botë, për të nxitur kaos dhe luftë.