Putini thotë se e ardhmja e Ukrainës është në dyshim
Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi të shtunën se shtetësia e Ukrainës është në rrezik dhe i krahasoi sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë me “shpalljen e luftës”, ndërsa një armëpushim i premtuar në qytetin port të rrethuar të Mariupol dështoi mes skenave të terrorit, raporton Reuters, pëcjell Gazeta Express.
Me retorikën e Kremlinit që po bëhej gjithnjë e më e ashpër dhe një pushim nga luftimet që u shpërbë, trupat ruse vazhduan t’i bombardonin qytetet e rrethuara dhe numri i ukrainasve që u detyruan të largoheshin nga vendi i tyre u rrit në 1.4 milionë. Gjatë natës, forcat ruse kanë intensifikuar bombardimet e tyre në Mariupol, ndërsa kanë hedhur bomba të fuqishme në zonat e banuara të Chernihivit, një qytet në veri të Kyivit, thanë zyrtarët ukrainas.
Nënat vajtuan fëmijët e vrarë, ushtarët e plagosur u pajisën me tunika ndërsa mjekët punonin nën dritën e telefonëve të tyre. Turma burrash u rreshtuan në kryeqytet për t’iu bashkuar ushtrisë ukrainase.
Putin ndërkohë vazhdoi ta fajësonte udhëheqjen ukrainase për luftën dhe goditi rezistencën e tyre ndaj pushtimit.
“Nëse ata vazhdojnë të bëjnë atë që po bëjnë, ata po vënë në pikëpyetje të ardhmen e shtetësisë së Ukrainës”, tha ai. “Dhe nëse kjo ndodh, do të jetë tërësisht në ndërgjegjen e tyre”.
Ai gjithashtu i krahasoi me shpallje lufte sanksionet e Perëndimit që e kanë gjymtuar ekonominë e Rusisë dhe kanë bërë që vlera e monedhës së saj të bjerë.
“Këto sanksione që po vendosen, janë të ngjashme me shpalljen e luftës”, tha ai. “Por falë Zotit, ne nuk kemi arritur ende atje”.
Sistemi financiar i Rusisë pësoi një goditje tjetër pasi Mastercard dhe Visa njoftuan pezullimin e shërbimeve të tyre atje.
Dhjetë ditë pasi forcat ruse nisën pushtimin e Ukrainës, lufta për t’i zbatuar armëpushimet e përkohshme në Mariupol dhe qytetin lindor të Volnovakhas tregoi brishtësinë e përpjekjeve për t’i ndaluar luftimet në të gjithë Ukrainën.
Zyrtarët ukrainas thanë se sulmet ajrore i kanë penguar banorët të largoheshin përpara se të fillonin evakuimet e dakorduara. Putin akuzoi Ukrainën për sabotim të përpjekjeve.
Një raund i tretë i bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës do të zhvillohet të hënën, sipas Davyd Arakhamia, një anëtar i delegacionit ukrainas. Ai nuk dha detaje shtesë, duke përfshirë vendin ku do të zhvillohen.
Takimet e mëparshme u mbajtën në Bjellorusi dhe çuan në marrëveshjen e dështuar të armëpushimit për të krijuar korridoret humanitare për evakuimin e fëmijëve, grave dhe të moshuarve nga qytetet e rrethuara, ku qindra mijëra përballen me mungesë ushqimi dhe uji.