Putini thotë se është i gatshëm të takohet me Trumpin
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se është i lumtur që të takohet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, kur Uashingtoni të jetë i gatshëm të mbajë një takim të tillë.
Po ashtu ai ka thënë se mirëpret thirrjen e Trumpit që Moska të rikthehet në samitet e shtatë vendeve më të industrializuara (G7).
Duke folur para gazetarëve në Qingdao të Kinës, Putini ka theksuar se ai me Trumpin duhet të mbajnë një samit.
“Presidenti amerikan në vazhdimësi ka thënë se është e arsyeshme që të mbajmë një takim të tillë. Kurdo që ShBA-ja të jetë e gatshme, takimi do të ndodhë”, ka thënë Putini.
Putini dhe Trumpi kishin biseduar përmes telefonit në muajin mars, ku ishte diskutuar për një takim të mundshëm në mes të dy liderëve, por edhe dy liderët kishin shprehur shqetësime me garën e armëve.
“Mund të konfirmoj se presidenti Trump ka shprehur shqetësim lidhur me raundin e ri të garës së armëve gjatë bisedës sonë të fundit. Unë pajtohem plotësisht me të”, ka thënë Putini. (Rel)