Putini thotë se Rusia është e ‘hapur’ për bisedime për marrëveshjen për drithërat

04 shtator 2023 | 14:47

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë të hënën se vendi i tij është i “hapur” për ta kthyer marrëveshjen e rëndësishme për eksportimin e drithërave përmes Detit të Zi, disa orë pasi Moska e ka sulmuar njërën prej porteve kryesore të drithërave të Ukrainës gjatë natës.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, e cila kishte për qëllim lëvizjen e sigurt të anijeve civile përmes Detit të Zi, dështoi pasi Rusia u tërhoq në korrik.

Moska i ka sulmuar që nga atëherë portet ukrainase, për çka është akuzuar nga Kievi se në mënyrë cinike po tenton ta dëmtojë eksportin e tij dhe ta minojë sigurinë e ushqimit botëror. Të hënën, sulmet ruse me dronë e dëmtuan një port të eksportit në lumin e Danubit, thanë zyrtarët, duke shtuar se depot dhe pajisjet bujqësore u dëmtuan, po ashtu.

Putini është takuar të hënën me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, për bisedime kokë me kokë në Soçi.

Ky është takimi kokë më kokë mes Erdoganit dhe Putinit që nga tetori i vitit të kaluar dhe vjen në kohën kur forcat ruse po përballen me kundërofensivën ukrainase, që pas tre muajsh betejash brutale në frontin jugor të Ukrainës, ka nisur të shfaqë sukses.

Lideri turk shpreson që ta përdorë samitin joformal në resorin në Detin e Zi të Soçit si bazë për negociata të paqes të cilat po i debatojnë disa zyrtarë perëndimorë, por dy palët duan të mbajnë negociata vetëm sipas kushteve të tyre.

Në nisje të takimit, Erdogani ka thënë se do të bëjë “një njoftim shumë të rëndësishëm” për eksportet e drithërave ukrainase, pas bisedës me Putinin.

“Besoj se mesazhi që të japim gjatë konferencës për media do të jetë shumë i rëndëshëm për botën, veçmas për shtetet e pazhvilluara në Afrikë”, ka thënë Erdogani në nisje të takimit me Putinin.

Erdogani është një prej liderëve të paktë të aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s që ka mbajtur të hapur qasjen me Putinin.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për herë të parë, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në…