Putinizmi dhe rikthimi prapa i historisë (3)
Shkruan: Enver Hoxhaj
Putnizmi ka të bëjë edhe me ambicien për ta kthyer prapa orën e historisë. Ai e kritikon Amerikën për rënien sovjetike. Që SHBA-ja paraqet diçka të rrezikshme e të paparashikueshme, duke rikonfirmuar pikëpamjet e tij mbi rendin ndërkombëtar, e të cilat në thelb janë ato të Luftës se Ftohtë. Përderisa kishte në fund të viteve ’80-të dhe gjatë viteve ’90-të një bashkëpunim në mes të Uashingtonit dhe Moskës dhe një mirëbesim në mes Reganit dhe Gorbaqovit, Bushit & Gorbaqovit dhe Klintonit e Jelcinit, me ardhjen e Putinit në krye të Rusisë, kësaj do ti jepte fund. Partneriteti do të zëvendësohej me rivalitet dhe në qendër të tij do të jetë Kosova. Ky rivalitet u pa gjatë negociatave në Vjenë për statusin e ardhshëm të Kosovës. Rusia gjatë viteve 2005-06 ishte përfshirë në këtë proces dhe kjo ndodhte sa në kuadër të Grupit të Kontaktit me shtetet e tjera perëndimore, po aq në Këshill të Sigurimit dhe në UNOSEK.
Brenda G8, disa herë amerikanët dhe shtetet më të mëdha të botës diskutuan me Putinin për rezultatin e negociatave, por nuk kishte ujdi. Kur procesi ishte në fazën finale, ndërmjetësi i OKB-së, Ahtisaari propozoi pavarësinë e mbikëqyrur si planin gjithëpërfshirës dhe një zgjidhje të qëndrueshme. Moska nuk e pranoi dhe lëvizi nga qasja ambiguitive drejt refuzimit të plotë në Këshillin e Sigurimit dhe kudo tjetër. Por, qasja ndaj Kosovës ishte pjesë e një platforme më të gjerë.
Premisat e para të saj hasen në fjalimin programor të Putinit në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt të 2007. Aty për herë të parë, pa kurrfarë retorike diplomatike, ai tregoi pikëpamjen e tij të errët mbi rendin ndërkombëtar. Pasojat do të shihen më vonë. Duke folur për leximin e tij të rendit ndërkombëtar dhe sfidave të sigurisë, ai skicon një përkufizim interesant si “bota unipolare”. Ajo “ka të bëjë me një situatë, ku është një qendër e autoritetit, një qendër e forcës, një qendër e vendimmarrjes”. Thotë se “Është një botë, e cila ka një zotëri (master) dhe një sovran”. Ai la të kuptohej që Rusia ishte e orientuar tradicionalisht drejt Azisë dhe jo Evropës. Ajo mund të përdor forcën ndaj vendeve në Evroazi për të ushtruar ndikim apo nënshtruar ato. Fjalimi, në Perëndim, u pa si fillim i konfrontimit dhe ballafaqimit të ri dhe shumëdimensional. Në Rusi, mori atributet si “profetik”. Rrjedha e ‘profecisë’ sot është e dukshme, komplekse dhe serioze në Evropë e më gjerë.
Natyrisht që Putini u morr edhe me Kosovën, duke thënë që “nuk duhet të imponohet asnjë zgjidhje”. Nëse kjo do të ndodhte, Rusia, si anëtare me të drejtë vetoje në KS të OKB, do ta kundërshtonte një gjë të tillë. Plani i Ahtisaarit u prezantua para KS, por asnjëherë nuk u vendos në rend dite për miratim. Negociatat shtesë edhe për tre muaj nën udhëheqjen e Trojkës – F. Wisner, W. Ischinger dhe A. Botsoan Harqenko nuk sollën asgjë. Putin kishte parasysh interesat e Serbisë, por mbi të gjitha do ta përdorte Kosovën që ta manifestoj rivalitetin me shtetet perëndimore dhe ti sfidonte ato. Por, kishte edhe pritje tjera.
Ai e dinte që negociatat shtesë nuk do ishin frytdhënëse, por pritja ishte të përmbushen dy caqe. Së pari, të prishej uniteti evropian sa i takon Kosovës, gjë që edhe ndodhi. Pastaj, shtetet e BRICS dhe vende të tjera me peshë do të krijonin qëndrime preliminare kundër propozimit të Ahtisaarit. Së fundi, një stërzgjatje e procesit dhe shpalljes se pavarësisë do të ndikonte që qytetarët e Kosovës ta humbnin durimin. Ndoshta do të shpërthente edhe dhunë e brendshme dhe me atë të humbej mbështetja për pavarësi para se ajo të shpallej. Për muaj me radhë, nga vera e deri në dhjetor 2007, anëtarët e KS nuk arritën të gjenin ujdi dhe miratonjnë propozimin e Ahtisaarit.
Përçajë dhe ndiko
Putin do të bëhet aktiv sidomos në javën e parë të shkurtit 2008, në ditët para shpalljes se pavarësisë. Qëndrimet publike të tij për Kosovën do të jenë sistematike. Do të përsëris sesi një akt i tillë do të ishte “ilegal dhe imoral”, duke mos përmendur që propozuesi ishte ndërmjetësi i OKB-së. Kundërshtonte ashpër argumentin se Kosova është sui generis,dhe e cilësoi një “rrenë”, duke mos thënë asgjë për procesin dy vjeçar negociator të OKB-së. Ai akuzonte perëndimorët se po “përdorin standarde të dyfishta”, po e njohin pavarësinë e Kosovës por jo edhe rastet e tjera në botë. “Ata s’kanë menduar thellë për pasojat, se çfarë janë duke bërë. Në fund të ditës, ky është një shkop i prehtë në të dy anët, dhe ana e fundit do t’iu kthehet prapa, e do ti i godet në fytyrë.” Përtej metaforave dhe diskursit, e që me vonë Rusia do ta përdorë të njëjtin edhe për rastet te tjera, më të dëmshmet ishin veprimet.
Putnizmi synon të përçajë bashkësinë ndërkombëtare në tema që lidhen me sigurinë dhe paqen. U mundua ta përçajë qasjen rajonale të vendeve të Ballkanit ndaj Kosovës. Madje tek përçarja e unitetit evropian, ai arriti rezultate konkrete. Sllovakia para se të shpallej pavarësia do ta miratonte një rezolutë në parlamentin e saj duke kundërshtuar planin e Ahisaarit dhe epilogun e tij. Rumania do të shantazhohet nga Rusia me Transnistrinnëse do të bënte hapa drejt njohjes. Kërkonte edhe publikisht që BE-ja ta njeh Qipron Veriore duke krijuar pasiguri sa te Qiproja po aq edhe te Greqia.
Po ashtu, në kontinente të tjera, ishte në koordinim me vendet e BRICS dhe shtete tjera me peshë në rajonet e ndryshme, që ta refuzonin njohjen e Kosovës. Shume vende u përdorën si kundërpeshë ndaj SHBA dhe BE, dhe kudo e krijoi bindjen se projekti i pavarësisë është imponim i tyre. Kudo akuzon ato për sjelljen e tyre sa i takon Kosovës. Ato “po krijojnë një precedan të rrezikshëm dhe të tmerrshëm”, me pasoja “jo vetëm për dekada, por për shekuj ”.
Por, kush e përdori atëherë një precedan të tillë? Në prill të 2008, gjatë Samitit të NATO-së në Bukuresht, Putini u paraqit i përmbajtur dhe i kujdesshëm. Tha se nuk do të “jemi histerik” sa i takon Kosovës. Foli gjatë për vendet fqinje përreth Rusisë, duke treguar sesa rusë etnik jetojnë atje, dhe sesi ai e kupton ndjeshmërinë e këtyre vendeve për ta ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të tyre. Nuk e krijoi përshtypjen më të vogël se ai kishte ndarë mendjen për një betejë afatgjate. Në fillim akuzoi SHBA-të dhe lidershipin gjeorgjian për krijimin e një situate të konfliktit të hapur mes Gjeorgjisë dhe Rusisë. Mandej, papritmas, Rusia në verën e 2008, pas një lufte të imponuar me Gjeorgjinë, okupoi territore dhe njohu entitetet si Abhazia dhe Osetia Jugore. Ishte vazhdimësi e politikës së krijimit të fakteve në terren, natyrisht përmes forcës.
Zbulimi i thelbit të të pasaktave
Një vit pas, gjatë debatit të GJND-së, qasja e Rusisë ra ndesh dhe atë në mënyrë radikale me sjelljen e ardhshme. Rusët pretendonin para kësaj Gjykate se e drejta ndërkombëtare nuk i lejon Kosovës që ta shpall pavarësinë, sepse populli i saj nuk e ka të drejtën për vetëvendosje. Pranvera e 2014 dhe ngjarjet në Krime dhe në Ukrainën lindore do ta nxjerrin gënjeshtarin e mirëfilltë brenda Putinit. U pa që vazhdimisht ka gënjyer me qëllime të caktuara për Kosovën dhe në shërbim të ambicieve ekspansioniste ruse. Gjatë kësaj kohe, ai akuzoi shtetet perëndimore se po ndërhynin në Ukrainë, dhe se lëvizja e atjeshme qytetare për demokraci dhe orientim evropian, nuk ishte asgjë tjetër veçse “grushtet nga jashtë”. Në mars të këtij viti, Putini përdori dhe keqinterpretoi Kosovën për të justifikuar aneksimin e Krimes. Në fjalimin e mbajtur para parlamentareve rusë me 18 mars, dy ditë pas një “referendumi” në kushte të okupimit, Putini tha që situata në Krime është e ngjashme me atë të Kosovës. Por, kësaj radhe foli më shumë për vendin e Krimes në historinë ruse dhe sesi bota duhet ti “respektoj interesat vitale” të Rusisë. Dy vite më vonë, ishte më i qartë: “Nëse kosovarët kanë të drejtën për vetëvendosje, pse populli i Krimes nuk mund ta këtë një drejtë të tillë?”
Natyrisht, Kosova e Krimea nuk kanë asgjë të përbashkët. Dallimet, historia, dimensioni legal dhe ndërkombëtar i bëjnë shumë të kundërta. Pozita e Kosovës me të gjitha atributet në Jugosllavi, suspendimi i dhunshëm i statusit legal, zhbërja e shtetit shumëkombësh, vendosja e regjimit serb, lufta e imponuar, spastrimi etnik, suspendimi i sovranitetit jugosllav nga OKB, protektorati ndërkombëtar e deri tek negociatat në Vjenë me ndërmjetësimin e OKB-së. Në fund, pavarësia në përputhje me Rezolutën 1244. Situata e Kosovës është më shumë e ngjashme me pushtimin sovjetik të shteteve baltike në kohën e Stalinit. Putini shpesh i është referuar shtetësisë sonë, por nuk arriti të justifikoj absorbimin e dhunshëm të Krimes. Kjo ishte më shumë farsë, e cila zbuloi thelbin e pasaktë të dy situatave të kundërta.
14.000 ushtarë okupuan Krimen. Njësitet speciale futën nën kontroll parlamentin, kryeministri u detyrua të jap dorëheqje dhe u organizua “referendumi”. Fushata udhëhiqej nga ushtarakët në terren dhe politikisht e diplomatikisht nga Moska. Pa e përmendur këtu përbërjen etnike të Krimes, si dhe faktin që një parti pro bashkimit me Rusinë i merrte çdo herë vetëm 4% të përkrahjes. Duke e quajtur hipokrizi faktin e mosnjohjes së tij nga perëndimorët, mediat ruse dhe “analistë” ndërkombëtarë e dramatizuan referendumin për pavarësinë e Skocisë. Kishte përpjekje për ta ndërlidhur Krimenë me një proces demokratik në Mbretërinë e Bashkuara. Por, situata ishte ndryshe krejt ndryshe veçmas për rregullat dhe kushtet që u përcaktuan për mbajtjen e tij.
Narracioni i tyre ishte që Kosova hapi Kutinë e Pandorës sepse ajo edhe hapi kapitullin e lëvizjeve për shkëputje. Lista e tyre ishte e gjatë. Natyrisht printe Kosova, mandej vinin Kurdët (Irak), Skocia, Krimeja, Kuebeku dhe në fund Katalonia.
Të gjitha këto u përdoren si raste vetëmbrojtje kudër kritikëve të Krimes, por paralelisht ndodhën edhe zhvillime të tjera. Madridi akuzoi Moskën se po dezinformonte për gjendjen në Kataloni por rusët e mohuan dhe e quajten “histeri”. Mirëpo, një ekip i verifikimit të fakteve nga BE dha shembuj konkret, duke konfirmuar me raste sesi media të caktuara me mbështetje ruse ishin një për “lajme të rreme”. Disa diplomaci dhe shërbime evropiane të inteligjencës konfirmuan përsëri që Rusia synonte ta destabilizonte Spanjën dhe këtë po e bënte duke mbështetur separatistët katalonas me fushatë dezinformuese.
Publikisht dhe politikisht Putini ishte neutral sa i takon Katalonisë sikurse më parë, Skocisë. Putini ishte vërtetë i kujdesshëm për këto çështje të nxehta evropiane. Ai tha se “në asnjë mënyrë nuk dëshironte që ti sheh vendet evropiane që po dezintegrohen” dhe i takon “Spanjës të vendos vetë sesi do të ekzistoj”, dhe sesi do ti zgjidhë “problemet me regjionet, me Kataloni dhe në Veri”.
Neutraliteti dhe predikimi
Predikimi i tij për neutralitet, shpejt do të zëvendësohet me sulm publik ndaj evropianëve për “standardet e dyfishta”, një shtrembërim ky tendencioz në raport me gjendjen e brendshme të BE-së. Me një frazeologji hipokrite bente dallimin se “ka luftëtarë të vlerësuar për pavarësinë e tyre, dhe po ashtu ka separatist të cilët nuk mund t’i mbrojnë të drejtat e tyre”. Evropianët e bënë këtë “për të kënaqur vëllain e madhë në Uashington duke ofruar mbështetje pa kushte për shkëputjen (sesionin) e Kosovës, dhe kështu duke provokuar procese të ngjashme në Evropë dhe në botë.” Pastaj shtronte pyetjen në mënyrë cinike:: “ A e kanë ditur për karakterin e konfliktet e vjetra në Evropë? Ata e kanë ditur, apo jo? Mirëpo, de-fakto mirëpriten dezintegrimin e një numri të shteteve në Evropë…”.
Pritja e tij ishte dobësimi i unitetit evropian brenda BE-së dhe pas dështimit të referendumit skocez, Katalonia do ta godiste kohezion evropian në zemër. Një shkëputje e mundshme do të krijonte kaos dhe do ta vinte në pikëpyetje vetë BE-në sepse zinxhiri i ngjarjeve do ishte jashtë çdo parashikimi. Tek disa parti populiste dhe qarqe ksenofobe në BE, frazat e tij se evropianët me mbështetjen e Kosovës për pavarësi kishin nxitur rritjen e separatizmit brenda vetë BE-së, po haste në mirëkuptim. Edhe pritjet e tij për Evropën, që kanë të bëjnë me shndërrimin e demokracisë në autokraci populiste dhe me dobësimin e BE-së synojnë që të krijojnë një rend evropian sesi ai të vepron veç e veç me këto shtete dhe jo me BE-në dhe NATO-në si bashkësi politike, ekonomike dhe të sigurisë.
Në doktrinën e Putinit vlen parimi, që nuk ka edhe shumë rëndësi se kush e krijon një fakt, por kush e përdor dhe përfiton. Ai është munduar që ta keqpërdorë dhe të perfitoj jo vetëm nga Kosova, por për ironi edhe nga Serbia. E keqinterpretoi edhe intervenimin e NATO-së mbi Serbinë. Duke portretizuar Serbinë si viktimë e pambrojtur. Pa potencial bërthamor për vetëmbrojtje, e paraqiti edhe regjimin e Asadit në Siri, aleatin më besnik rus në Lindje të Mesme. Por, këtu e bën një ndërrim të roleve. Angazhimi ushtarak i amerikanëve dhe i evropianëve në Afganistan, në Irak, në Siri, Libi dhe tek vendet myslimane i quan si “kryqëzata” moderne.
Si përfundim, Kosova nuk paraqet ndonjë temë të rëndësisë së madhe për Putinin, por ai e ka përdorur atë si një antitezë ndaj Perëndimit. Duke kultivuar me kujdes një rivalitet me shtetet perëndimore, ai në fakt ndërtoi një fabrikë të rrenave në këto njëzet vite për Kosovën. Gjatë vizitës së fundit në Serbi, janar 2019, ai pranoi si dhuratë një qenë Sharri nga Aleksander Vuqiq. Cila ishte simbolika e tij, asnjëherë nuk u tha në media. Mund të imagjinohet se qeni i Sharrit është besnik dhe e ruan mirë perimetrin e shtëpisë, e ndoshta Putini “sovranitetin” e Serbisë, meqë Rusia mbeti për trembëdhjetë vite garancia e vetme për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB. Përtej raporteve Kosovë-Serbi dhe rolit të Rusisë, narracioni i Putinit për Kosovën dhe sjellja e tij e jashtme tregojnë se ai ka shkel të drejtën ndërkombëtare; pushtoi territore të fqinjëve, ndërhyri në sovranitetin e tyre dhe interferoi në BE me qëllim që t’i destabilizonte këto shtete dhe rendin ndërkombëtar.
Kur mendon për vendin e tij në histori, për dallim se çka mendojnë rusët sot, ai të shfaqet si një pasqyrë e rreme. Dhe nuk duhet menduar asnjëherë që kundërshtari mund të mendoj dhe veprojë në rrethana të njëjta në mënyrën e njëjtë sikurse e përcepton. Sepse do të ishte një lexim i gabuar, meqë edhe bota e tij është një pasqyrë e rreme, ku pasqyron ngjarjet dhe vepron jashtë imagjinatës.
(Fund)