PyeongChang ul siparin, Norvegjia në majën e podiumit
Pas 17 ditësh u fik Flaka Olimpike në Korenë e Jugut, me ceremoninë përmbyllëse që simbolizoi njëherazi edhe përfundimin e edicionit të 23-të të Lojërave Olimpike Dimërore në PyeongChang.
Si zakonisht Lojërat u deklaruan të mbyllura pas fjalimit të vetë presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, që i quajti Lojërat e horizonteve të reja, sidoqoftë Olimpiada Dimërore mund të konsiderohet një sukses i padiskutueshëm, jo vetëm në aspektin e organizimit apo mbarëvajtjes, por gjithashtu edhe për faktin që arriti diçka në të cilën politika kishte dështuar për dekada të tëra. Këto Lojëra shkrinë akujt ndërmjet dy Koreve dhe sigurisht që do të mbahen mend gjatë pikërisht për mesazhin e fortë të paqes që përcollën, pasi dy vendet u rikthyen për të folur nëpërmjet sportit, duke hedhur një hap përpara drejt ëndrrës së ribashkimit.
Nga data 9 deri më 25 shkurt 2.914 sportistë nga 92 komitete të ndryshme olimpike rivalizuan në 15 disiplina të ndryshme, madje si Korea e Jugut ashtu edhe Korea e Veriut bashkuan forcat dhe u përfaqësuan me një skuadër të vetme në sportin e hokejit për femra. Gjithsej u shpërndanë 102 medalje të arta. Në Lojërat Olimpike të Sochi-t në Rusi mjaftuan 11 medalje të arta, 9 argjendi dhe 9 bronzi për t’i dhënë vendit organizator pozicionin e parë në klasifikimin e përgjithshëm, gjithsesi këtë radhë steka u ngrit më lart dhe vendin më të lakmuar në podium e rrëmbeu Norvegjia, që katër vjet më parë humbi kryesimin thjesht për vetëm katër medalje argjendi. Për të pushtuar shkallën më të lartë të podiumit këtë herë vendi nordik kishte nevojë për 14 medalje ari, 14 argjendi dhe 11 bronzi, duke kaluar Gjermaninë pikërisht në fund, falë sportistes legjendare Marit Bjorgen. Veterania nga Trondheimi, që pas katër javësh do të festojë 38-vjetorin, siguroi medaljen e tetë të artë në karrierë, duke u shndërruar njëkohësisht në sportisten absolutisht më të suksesshme në gjithë historinë e Olimpiadave, si për femra ashtu edhe për meshkuj. Falë medaljes së artë në garën klasike të 30 km me ski, në Cross-country, pikërisht garës përmbyllëse të Lojërave të 23 Olimpike Dimërore, Marit Bjorgen regjistroi medaljen e saj të pestë në Lojërat e PyeongChang-ut dhe të 15-n gjithsej në 5 Olimpiadat ku ka marrë pjesë, Salt Lake City,Torino, Vancouver, Sochi, duke kaluar kështu me fotofinish Gjermaninë, që i mbylli Lojërat gjithashtu me 14 medalje ari, por me 4 medalje argjendi më pak, ndërsa Kanadaja ia doli mbanë për të mbrojtur sërish podiumin, duke mbajtur poshtë vetes ashtu si edhe në Sochi përsëri Shtetet e Bashkuara, sidoqoftë vendi teuton shpërdoroi një mundësi të shkëlqyer në hokej në akull, pasi Gjermania ishte vetëm 56″ larg lavdisë dhe u mund në finale 4-3 pas kohës shtesë nga Rusia, një triumf që u mungonte rusëve që nga Lojërat e Albertvilit, në Francë 26 vjet më parë, madje edhe atëherë si pasardhës të Bashkimit Sovjetik, nën siglën CIS, si Federata e Shteteve të Pavarura.
Kurioz është fakti që kundër çdo lloj rregulli të përcaktuar që më herët dhe pavarësisht se ishin paralajmëruar nga drejtuesit e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që shfaqja e simboleve kombëtare nuk do të tolerohej, në fund hokejistët rusë kënduan majë podiumit notat e himnit të tyre kombëtar. Edhe në ceremoninë përmbyllëse gjatë momentit të hyrjes së sportistëve në stadium delegacioni rus nuk u lejua që të marshojë nën flamurin rus, sidoqoftë gjithçka shkoi mirë pa incidente dhe protesta, si për të konfirmuar mbarëvajtjen shembullore të këtyre Lojërave nga ana e vendit organizator.
Në aspektin sportiv Korea e Jugut u pozicionua në vendin e 7 në renditjen përfundimtare me 5 medalje ari, 8 argjendi dhe 4 bronzi, gjithsesi arritjen më të madhe e siguroi pa dyshim 22-vjecarja çeke Ester Ledecka, që u bë i pari person që ia del mbanë për të fituar dy medalje të arta në dy disiplina të ndryshme, brenda së njëjtës Olimpiadë, më konkretisht në super sllallom gjigant si dhe në snowboard në sllallomin gjigant paralel, megjithëse më poshtë nuk bie as 29-vjeçari francez, Martin Fourcade, që siguroi 3 medalje të arta në biatlon. Në fund Komiteti Olimpik Ndërkombëtar votoi për të hequr dënimin e Rusisë, kuptohet nëse nuk dalin në dritë shkelje të tjera në lidhje me çështjen e dopingut, ndërsa përsa i përket rezultateve 168 rusët që garuan si sportistë neutralë e mbyllën Olimpiadën në vendin e 13 me vetëm 2 medalje ari, 6 argjendi dhe 9 bronzi. Në këto Lojëra Shqipëria u përfaqësua me dy sportistë, skiatorin Erjon Tola si dhe skiatoren Suela Mëhilli, ndërsa skiatori Albin Tahiri ishte sportisti i vetëm kosovar, në përfaqësimin e parë të Kosovës në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore. Olimpiada e ardhshme dimërore do të zhvillohet pas katër vjetësh në Kinë, në kryeqytetin e vendit Pekin. (Supersport)