Pyjet halore të Dukagjinit po dëmtohen nga insektet
Një pjesë e pyjeve halore në rajonin e Dukagjinit janë dëmtuar nga insektet që shkaktojnë sëmundjen e këtyre pyjeve. Zyrtarë të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës kanë thënë se sëmundja po shkaktohet nga tenja e pishës, që paraqet një kërcënim serioz për masivet pyjore të vendit.
Pyjet e Kosovës janë thesari më i çmuar i vendit duke iu falënderuar relievit, klimës dhe hidrografisë, që i bënë ato më të çmuara dhe më atraktive. Insekti i tenjës së pishës (procesionare) po ndikon në tharjen e njëpasnjëshme të pishave.
Menderes Ibra, drejtor i Drejtorisë për Menaxhimin e Pyjeve në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, sqaron për “Radio Kosovën” se në rajonin e Dukagjinit tenja e pishës ka bërë dëme, por jo në përmasa të mëdha ashtu sikurse në Shqipëri. Ibra thotë se ka pasur disa raste të izoluara, por që tenja e pishës është më e theksuar.
“Kemi raste të izoluara. Kemi sipërfaqe të prekura edhe nga një dëmtues tjetër, por tenja e pishës është më shumë e paraqitur. Në komunën e Gjakovës, të Junikut, të Deçanit, në një pjesë në Suharekë dhe Prizren. Por, aktualisht këto nuk paraqesin shqetësim serioz”, tha ai.
Vitet e kaluara janë ndërmarrë disa operacione për pastrimin në mënyrë mekanike të tenjës së pishës, e që rezultatet kanë qenë të pakta. Menderes Ibra thotë se zhdukja e tenjës së pishës është mjaft komplekse.
“Ajo luftohet në tri mënyra. Është mënyra mekanike fizike largimi i pjesëve të drurit të kalbur dhe ndezja e tyre bashkë me larvat e insektit. Nëse sipërfaqet janë të mëdha, trajtimi bëhet me pesticide. Ekziston edhe një formë e re e cila ka filluar të zbatohet në disa shtete fqinje, veçanërisht në Turqi, e që është mënyra biologjike e luftimit të saj. Pra, është kultivuar një insekt i cili është armik biologjik i tenjës së pishës”, shtoi ai.
Pyjet në Kosovë kanë një florë e faunë të gjerë që ka rëndësi për të gjithë rajonin e Ballkanit. Flora e Kosovës përfaqëson rreth 25 % të florës së Ballkanit dhe asaj të Evropës. Rajoni me shumëllojshmërinë më të lartë janë Malet e Sharrit dhe Alpet Shqiptare.