PZAP-i dënon LV-në për gjuhë të urrejtjes në tubimin në Skënderaj
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka gjobitur sërish Lëvizjen Vetëvendosje në kuadër të aktiviteteve të saja për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
PZAP-i ka deklaruar se LV-ja është gjobitur me 5 mijë euro, dhe ka afat që ta paguajë gjobën deri në 15 ditë pas 30 janarit.
Ankesë kishte paraqitur Partia Demokratike e Kosovës më 28 janar ndaj LV-së për shkak se, siç është thënë, më 27 janar në Skenderaj, mbështetësit e LV-së në një video të publikuar në mediat elektronike dëgjohen duke përdorur gjuhë të urrejtjes dhe fyese ndaj subjekteve politike.
Sipas PZAP, ata kishin thënë : “Me i ardhë Radoiçiqi e pranojnë me zemër, k’ta nuk shkojnë me ‘shkije’, por shqiptarëve ia bajnë, shpiunaa… Shpiunat e Serbisë, idiota, Radoiçiqin e kishin pritë me lule. Ngo, ngo çka bajnë këtë gjest, turp i madh. Tani thojnë PDK-ja jena njerëz, kanë më hup shumë. Kështu e ka Drenica”, është thënë në vendimin e PZAP-it.
Në vendim tutje është theksuar se mbështetësit e LV-së përdorën gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë nxitëse. /Klankosova.tv