PZAP-i hedh poshtë ankesat e partive, s’ka rinumërim të votave
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë ankesat nga PDK-ja, LDK-ja dhe koalicioni Nisma-AKR-PD për rinumërim të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e 6 tetorit.
Përmes një njoftimi për medie, PZAP ka vlerësuar se ankesat e këtyre subjekteve politike nuk kanë qenë të bazuara.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, në seancën e mbajtur më datë 08.10.2019, ka shqyrtuar ankesat: Anr.350/2019, të paraqitur nga Subjektit Politik PDK, Anr.351/2019, e paraqitur nga Subjekti Politik LDK dhe Anr.353/2019, e paraqitur nga Koalicioni NISMA-AKR-PD, të datës 07.10.2019, me të cilën kanë kërkuar që të Urdhërohet KQZ-ja, që të bëjë rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve në të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës dhe ka marrë vendim për te hudhur si te palejuara ankesat e larte theksuara”, është thënë në njoftimin për medie.