PZAP-i: Nga 15 parti politike të gjobitura, dy nuk i kanë shlyer borxhet
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka bërë publike gjobat që u janë shqiptuar partive politike për shkak të shkeljeve të bëra gjatë organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 22 tetorit 2017, për raundin e parë dhe raundin e dytë.
Gjatë këtij procesi zgjedhor, PZAP-ja ka dënuar me gjoba gjithsej 15 subjekte politike në vlerë prej 257 mijë e 350 euro.
Prej tyre, 13 subjekte politike i kanë paguar gjobat në total prej 239 mijë e 700 euro, ndërsa 2 subjekte politike ende nuk i kanë paguar gjobat në shumën prej 17 mijë e 650 eurosh, raporton “Rel”.
Subjektet politike, të cilat janë dënuar me gjoba dhe të cilat i kanë paguar ato janë: Lidhja Demokratike e Kosovës është dënuar me 78 550 euro, Lista Serbe me 38 550 euro, Lëvizja Vetëvendosje me 39 400, pastaj Partia Demokratike e Kosovës me 34 950 euro, Aleanca Kosova e Re me 20 050, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 17 200 euro, NISMA me 6 950 euro, Partia Demokratike Turke e Kosovës me 2 450 euro, si dhe pesë parti tjera me dënime nën 1 mijë euro.
Kurse, subjektet politike të dënuara, por që nuk i kanë shlyer borxhet janë: Alternativa me 15 450 euro dhe KTAP-ja me 2 200 euro.
Mjetet financiare të paguara nga subjektet politike janë transferuar në buxhetin e Republikës së Kosovës.