Qalaj: Deri më tani kurrë s’ka pasur kërkesë që policia të marrë leje nga KFOR-i për të vepruar në veri
Ish-drejtori i policisë dhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka komentuar deklaratat e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili dje ka thënë se Njësisë Speciale i duhet koordinim me KFOR-in përpara se të shkojë në veri.
Qalaj ka thënë se deri më tani nuk ka pasur kurrë asnjë kërkesë, kufizim a marrëveshje që Policia e Kosovës duhet të marrë leje nga KFOR-i apo ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar i sigurisë për të vepruar në veri
“Po e përsërisë, deri më tash është hera e parë që kërkohet që Policia e Kosovës duhet të marr leje nga KFOR-i për prezencën e saj në veri, po flas për njësinë speciale të Policisë së Kosovës. Dhe unë mendoj që atë që kemi thënë si opozitë tërë kohën mendoj që Qeveria e Kosovës ka gabuar shumë që veprimet i ka ndërmarr në veri pa koordinim me partnerët tanë e sidomos pa koordinim me ShBA-në”, ka thënë ai për “EO”.
Qalaj ka thënë se e gjithë deklarata e dhënë nga Stoltenbergu është si pasojë e një moskoordinimi të veprimeve të Qeverisë së Kosovës me partnerët strategjik.