Qalaj fton në takim eprorët e policisë për t’i koordinuar veprimet në veri
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka mbajtur të mërkurën një takim me drejtorët rajonalë të policisë së Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut.
Arsyeja e takimit ishte koordinimi i veprimeve policore lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit.
“Qëllimi i takimit ishte bashkëpunimi dhe bashkërendimi i aktiviteteve të drejtorive rajonale policore, Policisë Kufitare dhe njësive të tjera për ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim duke garantuar funksionalitet të plotë në zbatimin e ligjit”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas këtij njoftimi në këtë takim është potencuar rëndësia e realizimit të detyrave policore në mënyrë profesionale në funksion të mbajtjes së rendit dhe qetësisë, garantimit të lëvizjes së lirë pa lejuar rrezikim të sigurisë së asnjë qytetari apo edhe zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrave të ligjshme policore.
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe zëvendësdrejtorët rajonalë, shefat e operativës, hetimeve rajonale, ata të njësive për reagim të shpejtë, komandantët e stacioneve policore respektive, si dhe komandantët e pikave kufitare 1 dhe 31. Ata janë zotuar për angazhim dhe përkushtim ndaj qytetarëve.
/Epoka e re/