Qalaj kërkon shkarkimin e menjëhershëm të ministrit Rakiq

20 gusht 2021 | 15:58

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka kërkuar llogari nga kryeministri Albin Kurti për lejimin e ndërtimit të Universitetit paralel të Serbisë në Mitrovicë të veriut.

Qalaj ia ka kujtuar Albin Kurtit se kur ishte në opozitë bënte zhurmaxhiun kur shteti i Kosovës dërgonte njësitë speciale të policisë në veri, kur ndalej treni serb.

“Është momenti që dikush të jep përgjegjësi. Duhet shkarkim i menjëhershëm i ministrit Rakiq. Ende s’duam të besojmë se Albin Kurti po e kthen Serbinë në Kosovë, edhe pse paralajmërimet janë ogurzeza – njëherë duke mos e vendosur reciprocitetin, pastaj duke larguar barrierat tregtare për materialet ndërtimore nga Serbia dhe sot me universitetin paralel serb në veri të Mitrovicës”, ka thënë Qalaj.

Deklarata e plotë e Rashit Qalajt:

Kryeministri Albin Kurti dhe qeveria që udhëheq ai u dorëzuan sot para Serbisë në veri të Kosovë! Vënia e gurëthemelit për ndërtimin e Universitetit paralel të Prishtinës nga ministri i Kurtit, Goran Rakiq, dhe qeveritarët serb me një buxhet prej 6 milionë eurosh nga Beogradi, janë kapitullimi i tij pa kushte, por edhe dështim e rrezik për jofunksionalitet afatgjatë të asaj pjese.

Fatkeqësisht, krekosjet e dikurshme kuq e zi e me protesta si opozitar zhurmaxhi kur futeshin njësitë speciale të policisë së Kosovës në veri, kur ndalej treni serb e organizoheshin zgjedhjet e Kosovës, kanë marrë fund turpësisht dhe pikërisht në momentin kur tani e ka gjithë fuqinë dhe pushtetin për të vepruar.

Por kryeministër, pafuqinë tënde në veri përdore të paktën duke kërkuar llogari tek vartësit e tu, te Ministri i Brendshëm dhe Ministrja e Arsimit, se si lejuan që ky skandal i përmasave të rrezikshme të ndodhë para syve tuaj dhe në mes të ditës, në shpërfillje të plotë të sovranitetit shtetëror.

Është momenti që dikush të jep përgjegjësi. Duhet shkarkim i menjëhershëm i ministrit Rakiq. Ende s’duam të besojmë se Albin Kurti po e kthen Serbinë në Kosovë, edhe pse paralajmërimet janë ogurzeza – njëherë duke mos e vendosur reciprocitetin, pastaj duke larguar barrierat tregtare për materialet ndërtimore nga Serbia dhe sot me universitetin paralel serb në veri të Mitrovicës. Po del se për Albin Kurtin, në fakt, Serbia po kalojka!

https://www.facebook.com/100499528718123/posts/204258631675545/?sfnsn=mo

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gara e Çmimit të Madh të Malajzisë në MotoGP është…