Qalaj: Kryetarët s’kanë nevojë të dorëhiqen, kriminelët në veri kanë marrë krahë s’i frikësohen policisë
Ish-drejtori i Policë së Kosovës, Rashit Qalaj po thotë se katër kryetarët e komunave veriore nuk ka nevojë që të dorëhiqen, ngase janë zgjedhur nga një proces i rregullt zgjedhor.
Ai i tha Ekonomia Online se ndonëse në zgjedhje kanë marrë pjesë numër i vogël i votuesve, procesi ka qenë legal.
Por ai thotë se nga veprimet jo të qëlluara dhe të argumentuara kriminelët në veri kanë marrë krahë dhe nuk po i frikësohen Njësisë Speciale të Policisë.
Madje thotë se për këtë shkak po krijohet një lloj anarki në atë pjesë të vendit.
“Unë personalisht mendoj që nuk ka nevojë që kryetarët të dorëhiqen, ata janë zgjedhur, një proces që ka qenë i rregullt. Tash numri i vogël i votuesve është e vërtet që është, mirëpo kanë votuar ata që kanë dashur të votojnë. Pjesa dërmuese në mënyrë vetanake apo nën kërcënimin e presidentit të Serbisë dhe krejt aparaturës shtetërore të Serbisë i kanë bojkotuar zgjedhjet dhe e kanë pasur shansin që të participojnë dhe të marrin pjesë në zgjedhje, po ashtu nën dirigjimin e Listës Serbe dhe unë mendoj që është dashur që kryetarët të funksionojnë, mirëpo pas kësaj situate ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të kontribuojmë në paqe të kontribuojmë në uljen e tensioneve atje”, ka thënë ai.