Qalaj: Në listën e Interpol-it janë tre policët që arrestuan zyrtarin rus të UNMIK që vendosi barrikada në veri
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës dhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka folur në Kuvendin e Kosovës rreth rastit të tre policëve të Kosovës që janë futur në listën e Interpol-it me kërkesë të Rusisë.
Qalaj ka thënë se këta tre policë vetëm e kanë zbatuar ligjin e Kosovës, kur në veri gjatë vitit 2019 kanë arrestuar një zyrtar të UNMIK-ut me kombësi ruse, i cili kishte bashkëpunuar me grupet kriminale në veri të vendit.
Deputeti i PDK-së thotë se ky zyrtar kishte nxjerrë nga makina e tij një mjet për prerje të drunjve dhe të njëjta dru ishin vendosur si barrikada në rrugën që çon për Zubin Potok.
“Morëm një lajm mjaft të keq, një shqetësim mjaft të madh, për futjen në listën e Interpolit të tre policëve të Kosovës, dhe atë vetëm se kanë zbatuar ligjet e vendit. Më 28 maj 2019 është zhvilluar një operacion policor kundër kontrabandës, krimit të organizuar, dhe përfshirjes së disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe disa qytetarëve serbë e shqiptarë në aktivitete ilegale. Hetimet ishin zhvilluar për një kohë të gjatë. Në fillim të operacionit u plagosën disa policë, u lënduan disa policë, u dëmtuan veturat e policisë së Kosovës, mirëpo policia arriti të zhbllokoj të gjitha rrugët dhe arrestimin e një numri mjaft të madh të policëve dhe qytetarëve të invovluar në krim. Në ballë të këtyre forcave kriminale serbe dhe turmave serbe ka qenë një zyrtar i UNMIK nga Rusia dhe një zyrtar lokal i UNMIK-ut nga komuniteti serb. Ata kanë keqpërdorur imunitetin e misionit të OKB-së. Dhe për më keq, nga vetura e UNMIK-ut është nxjerr një pajisjes që ka shërbyer për prerje të drunjve që janë përdorur për barrikada në rrugën që shpie për Zubin Potok. Zyrtari rus ka refuzuar që të legjitimohet dhe ishte barrikaduar në veturë. Policët që sot janë në listën e Interpol-it kanë përdorur forcën e nevojshme, arsyeshme, domosdoshme dhe proporcionale për zbatim të ligjit”, ka thënë Qalaj në Kuvend.