Qalaj: Nuk mund të më shkarkoj Xhelal Sveçla
Fshesa e shkarkimeve nga Qeveria e drejtuar prej Albin Kurtit, tani duket se ka mësyrë edhe institucionet e sigurisë në vend.
Derisa gjatë ditës së djeshme, ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, shkarkoi kryeshefen e Inspektoratit Policor (IPK), Miradije Kelmendi, duket se tani po përgatitet edhe një shkarkim tjetër në Policinë e Kosovës.
Sipas raportimit të disa medieve shkarkimi po i bëhet gati tani edhe drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
E për një gjë të tillë ka folur mbrëmë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka thënë se deri tani nuk ka pasur ndonjë sugjerim për diçka të tillë nga u.d i ministrit Xhelal Sveçla.
“Për besë nuk e di. Duhet të vij nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme. Unë nuk kam sugjeruar gjë”, ka thënë Kurti.
Pas përfoljeve për shkarkim “FaktePlus” ka kontaktuar sot drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Ky i fundit ka thënë se nuk mund të shkarkohet prej pozitës udhëheqëse në polici nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Kjo pasi sipas Qalajt, shkarkimin e tij mund ta bëjë vetëm kryeministri i vendit.
“Mua nuk mundet të më shkarkoj Xhelal Sveçla, mua mundet të me shkarkojë vetëm kryeministri. Zoti Sveçla mundet me i propozuar kryeministrit, ndërsa vendimmarrës për drejtorin e Policisë së Kosovës është kryeministri”, ka thënë Qalaj.
Megjithëkëtë, Qalaj ka thënë se nuk shqetësohet për shkarkimin e tij dhe se ai është duke e kryer vetëm punën e tij dhe se kjo çështja e shkarkimit të tij i takon dikujt tjetër.
“Unë jam duke e kryer punën si drejtor i Policisë së Kosovës, as nuk merrem me atë punë, e as nuk më shqetëson ajo punë. Kjo është çështje e dikujt tjetër e jo e imja”, ka thënë Qalaj.