Qalaj: Supremja u jep të drejtë policëve për pagën e 13-të, atë jubilare dhe në shtesa të tjera
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se Gjykata Supreme ka dhënë mendim juridik sa i përket të drejtës së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për pagën e 13-të, pagën jubilare dhe benificione tjera.
Përmes një shkrimi në “Facebook”, Qalaj ka thënë se Qeveria e Kosovës, sipas këtij mendimi juridik të Supremes është e obliguar t’u paguajë policëve këto shtesa, krahas sigurimit shëndetësor, shtesave për rrezikshmëri dhe pensionimit të parakohshëm.
“Gjykata Supreme e Kosovës ka dhënë një mendim juridik për shpërblimin e shujtës ditore për Policinë e Kosovës, pagës së 13, shtesat në pagë për kualifikimin shkollor dhe pagën jubilare në Policinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës krahas pagesës së shtesave për rrezikshmëri, sigurimit shëndetësor dhe pensionimin e parakohshëm duhet ti paguaj edhe këto shtesa për Policinë e Kosovës!”, ka shkruar Qalaj.
Deputeti Qalaj të enjten ishte propozues i një Rezolute në Kuvendin e Kosovës, për përmirësimin e kushteve të punës për pjesëtarët e policisë, e cila nuk kishte kuorum të miratohej për shkak të deputetëve të Vetëvendosjes.