Taksa nuk i pakëson mallrat e Serbisë në Kosovë
Ka tre muaj që kur Kosova ka vendosur taksë doganore 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Nga ajo kohë, importi nga këto vende ka rënë tërësisht, por në tregun e Kosovës nuk vërehet mungesë e produkteve nga Serbia.
Përfaqësues të bizneseve thonë se derisa nuk ka import nga Serbia, por ka prodhime të këtij vendi në tregun e Kosovës, dyshohet se mallrat nga atje në tregun e Kosovës, po hyjnë në forma alternative apo përmes kontrabandës. Por, zyrtarë të Doganave të Kosovës e mohojnë një gjë të tillë.
Serbia, e cila para vendosjes së taksës në ditë ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro, tani, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës mesatarisht eksporton mallra në vlerë prej rreth 8 mijë euro.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se ka pasur disa raste të tentimit të kontrabandës, por që si të tilla janë ndaluar nga zyrtarët doganor.
Sipas tij, përgjatë këtyre tre muajve nuk ka pasur rritje të kontrabandës as në veri të vendit dhe as pjesët tjera të Kosovës.
Në rajonin e Mitrovicës, shton Stavileci, brenda janarit të këtij viti janë evidentuar 8 raste të tentim kontrabande me mallra të ndryshme.
Linku i shkrimit të plotë: https://www.evropaelire.org/a/taksa-nuk-i-pakeson-mallrat-e-serbise-ne-kosove/29781143.html.