Qalaj thotë se në veri po hyjnë armë nga Serbia
U vendosën në mënyrë të fshehtë.
Por Policia e Kosovës, për tre ditë radhazi përmes aksioneve, gjeti këtë arsenal armësh në tri komunat veriore, Zveçan, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut.
AK-47, uniforma ushtarake serbe, granata dore e radiolidhje janë disa nga pajisjet ushtarake të cilat tashmë janë të konfiskuara.
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje Enver Dugolli thotë se aksioni i Policisë në rajonin e veriut tregon përkushtimin për parandalimin e çdo tendence të grupeve kriminale për të ngritur tensione.
“Kanë bërë hetim, zbulime që preventojnë ndonjë sulm eventual të përmasave siq e kemi parë. Këto janë mbetje të atyre grupeve edhe këto armatime dhe pajisje i përkasin asaj kohe të cilat në vazhdimësi po zbulohen suksesshëm dhe po konfiskohen. Kjo nënkupton se institucionet tona janë në kryer të detyrës po e kryejnë detyrën për mrekulli dhe me profesionalizëm të lartë”, thotë Dugolli
Ndryshe mendon Rashit Qalaj nga PDK.
Ai thotë se situata në komunat e veriut të vendit nuk është aspak e mirë derisa ngriti shqetësime se në atë zonë po hyjnë armë ilegale nga Serbia.
“Në vazhdimësi kemi thënë që situata e Sigurisë në Veri nuk është e mirë absolutisht nuk ka ndonjë ndryshim, meqenëse grupet kriminale dhe kriminelët atje punojnë vazhdimisht në mënyrë ilegale duke sjell armë. Dhe normalisht që ata janë të mbështetur nga strukturat legale të Serbisë duke filluar nga Presidenti e tutje”, shprehet Qalaj
Sipas tij, gjetja e armëve kohëve të fundit në katër komunat veriore, tregon se AKI duhet të jetë më vigjilente pasi që Serbia po tenton ngritjen e tensioneve.
“Mendoj se institucionet tona të Sigurisë duhet të jenë në krye të detyrës në vazhdimësi që të monitorojnë situatën atje në mënyrë fizike poashtu edhe me informata inteligjente, po ashtu mendoj që edhe Agjencioni Kosovar i Inteligjencës duhet të jetë shumë më aktiv shumë më prezente, që të parandalohet hyrja ilegale e armëve dhe pajisjeve eksplozive në veri të vendit” , thotë ai
Ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti reagoi në rrjetin social “X” duke thënë se siguria në të gjithë vendin është prioritet për Qeverinë, teksa duartrokiti aksionet e Policisë në veri. /Tëvë1