Qalaj thotë se policia po sulmohet në veri me mjete që i ka përdorur LV-ja, Zyba i reagon ashpër
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se Policia e Kosovës po sulmohet në veri të vendit me mjete të njëjta që tha se i ka përdorur Lëvizja Vetëvendosje gjatë protestave në opozitë.
“Policët që janë lënduar e të cilët janë trajtuar jashtë vendit, sot po sulmohen në një pjesë të territorit. Po sulmohen me mjete të ndryshme, pra të zjarrit. Por po sulmohen edhe me iriqë, të cilët iriqë, të njëjtit janë përdorur në mes të Prishtinës ndaj një kryeministri që ka qenë në atë kohë”, ka thënë Qalaj më herët ka qenë komandat i policisë.
Më tutje, Qalaj ka kujtuar protestat e dhunshme të LVV-së, derisa ka folur për refuzimin e pushtetit për ta mbështetur formimin e Komisionit Hetimor parlamentar për çështjen e energjisë elektrike, të propozuar nga PDK-ja.
“Patëm protesta të dhunshme dhe tentativa me i kallë zyrat e qeverisë, ndërtesën e qeverisë me koktej të molotovit për procese të ndryshme. U lënduan policë, u lënduan aktivistë tuaj, u lënduan qytetarët që kanë qëlluar rastësisht dhe ku jemi sot me qëndrime?”.
“Ata aktivistë tuaj të cilët janë lënduar, janë arrestuar, janë akuzuar, janë dënuar, sot nuk kanë mundësi pikërisht për shkak të atyre dënimeve të punësohen e as të marrin vizë”, ka thënë Qalaj, duke i thënë krejt në fund pozitës: “Mos harroni, me hajna nuk ka shtet”.
Ndaj këtyre deklaratave kanë reaguar dy deputet të Vetëvendosjes, Artan Abrashi dhe Salih Zyba.
“Ai që dikur ishte drejtor i operacioneve të përgjithshme të Policisë së Kosovës, urdhërdhënësi i ndërhyrjes në zyrën e një parie politike me njësinë FIT, dy javë pas përfundimit të misionit të tij në PK, përfundon në listat zgjedhore të PDK-së dhe zgjidhet deputet”,ka thënë Abrashi.
Ndërsa deputeti Zyba ka thënë se Qalaj ka qenë aparaturë e dhunës kundër aktivistëve të Vetëvendosjes
“Ky ka qenë aparatura e dhunës së shkaktuar ndaj aktivistëve”, deklaroi ai, duke i thënë “do të jesh përgjegjës”.
Megjithatë, Qalaj ka thënë se ndihet krenar me punën në polici dhe se ndihet po ashtu krenar që është pjesë e PDK-së.