Qani Mehmedi, atdhetar, gazetar elitor, vizionar i së ardhmes, model për brezat që vijnë
“Një vit pa Qaniun” ishte akademia që u mbajt me rastin e largimit nga kjo jetë e gazetarit dhe publicistit të shquar shqiptar Qani Mehmedi.
Akademia përkujtimore është mbajtur në një sallë të bukur që mban emrin “Faruk Begolli” me ndriçim e foni të kuruar, me rregullim skenografik shumë domethënës, një fotografi e bukur, lule të bardha, një gotë nga ato aristokratet që i donte gazetari, nga librat që e shoqëruan gjatë gjithë jetës.
Me ndezjen e qirinjve nga dhëndëri, Shkodran Tolaj, i cili deri në momentet e fundit kishte qenë pranë tij, filloi reportazhi që shpaloste jetën, mendimet më të spikatura në emisione të ndryshme dhe forcën e madhe njerëzore që kishte brenda vetes Qani Mehmedi që udhëhiqej me moton “jeto i ngritur ose vdis”, “nuk është e rëndësishme sa herë bie, por sa herë do kesh forcë të ngritësh sërish”.
Më pas vajza e tij, siç e quante ai kryevepra Besiana Mehmedi – mezosoprano e njohur, profesoreshë në Universitetin e Tetovës interpretoi këngën “Atje ku prehesh ti” me autorësi nga Avni Qahili. F
jalë rasti mbajti ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili u shpreh: “Qaniu ishte zhurmaxhi i këndshëm, një njeri që s’rrinte i qetë, e niste kërkesën dhe cakun me insistim të jashtëzakonshëm”.
Kurse Hydajet Hyseni u shpreh se me Qani Mehmedin e lidhin disa kujtime e nga ato të fundit kënga “O ditë e mirë” që u bë në prag të pavarësisë së Kosovës për të cilën u përkujdes Qaniu e u interpretua nga trashëgimtarja dinjitoze Besiana.
Deputeti Rexhep Selimi u shpreh se Qaniu e thërriste në çdo 24 mars, por sivjet nuk ndodhi kështu, andaj, kjo ftesë e kompensoi mungesën e telefonatës me Qaniun.
Deputeti Rasim Selmanaj ka theksuar se duhet vlerësuar figura e Qani Mehmedit dhe kontributi i tij në kauzat kombëtare.
“Ai ishte përkrah kryeministrit të sotëm të Kosovës dhe bashkëluftëtarëve të tij derisa po gjykoheshin në gjyqin e Hagës. Shkrimet e Qani Mehmedit ishin ato që i jepnin pastërti luftës së ushtrisë sonë”, tha ai.
Ministri i Arsimit e Shkencës në Maqedoni, Arbër Ademi, me porosi nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ndan respekt të veçantë për tërë kontributin e dhënë në rrugën e realizimit të idealeve të përbashkëta tha: “e gjithë jeta dhe puna e Qani Mehmedit ishte e ndarë me fatet e kombit të shpërndarë duke e gjetur atë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Diasporë.
Ai ishte në ballë të protestave si gazetar duke filluar nga propaganda e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, themelimi i Universitetit të Tetovës, legalizimi i tij e shumë çështje me rëndësi për orientimin e shqiptarëve”, ka theksuar ministri Ademi.
Prezenca e figurave politike tregon mirëfilli se Qani Mehmedin e udhëhoqi konstruktiviteti dhe e vërteta në gazetari, pa anime dhe interesa momentale. Mbrëmjes i dha nota artistike aktori i madh i skenës sonë Xhevat Limani, i cili theksoi se me Qaniun e lidhte dashuria për atdhe.
Ai recitoi me mjeshtëri të rrallë poezinë e Xhevahir Spahiut “Borxhet e mia” me të cilën ishte shoqëruar Qani Mehmedi deri në ditën e fundit.
Në sfond dëgjohej kënga “Fjala jonë” me vokalin e tenorit Shkodran Tolaj, poezi e Rrahaman Dedajt të cilën kishte insistuar miku i tij Qaniu ta kompozonte pak ditë para se të ndahej nga ne.
Një pikë tjetër emocionale erdhi me inskenimin e këngës “Si princ i bardhë” dedikim i kompozitorit Naim Gjoshi, interpretuar nga Besiana Mehmedi të cilën e inskenoi balerina Durjeta Rukiqi, me koreografi nga Sabrie Spahiu.
Nga miqtë e tjerë që evokuan kujtime ishte konsulli i Kosovës në Zvicër i cili u falënderua që kishte pasur fat të jetë një prej nxënësve të tij.
Mikja e tij, gazetare dhe dikur drejtoreshë në Radiotelevizionin shqiptar, Mirela Oktrova, ka thënë se Qani Mehmedi ka merituar më tepër nga shoqëria e komuniteti dhe meriton të bëhet akoma më shumë që emri i tij të jetojë në kujtesën e gjeneratave të reja.
Për vlerat njerëzore e shpirtin e pastër të Qaniut i cili njihej si injorues i fatkeqësisë, mik nga më të dashurit, tolerant, gazetar elitor i cili pas çdo grindje kishte zemër dashurie e të madhe sa fusha e Korabit, folën shokët e tij Lekë Musolli, Diana Toska.
Publicisti Emin Azemi vlerësoi se Qani Mehmedi ishte model që u duhej brezave. Në emër të kërçovarëve përshëndeti shkrimtari Kalosh Celiku, drejtori i RTV Uskana, Minir Mediu, duke theksuar se mungesa e Qaniut në shënimin e sivjetmë të 25-vjetorit do të jetë jashtëzakonisht e madhe por vendlindja do ta falënderojë përjetësisht për themelimin e televizionit të parë dhe për gjithçka që bëri.
Në emër të burgosurve politik nga Kërcova përshëndeti të pranishmit Ilmi Veliu. Akademia u mbyll me falënderimin që u bëri të gjithë të pranishmëve vajza Besiana e cila theksoi se “jeta di që të të sjellë dhembje por dhe të mësojë të jetosh me peshën e saj.
Babi dëshironte që vajin ta kthejmë në këngë”. Djali Mentori nga Amerika, përmes një lidhje direkte e emocionale u shpreh “babi kënaqej me jetën modeste, respektin që e gëzonte si gazetar, familjen që kishte krijuar.
Ai nuk kërkonte asnjëherë asgjë nga askush, as nga fëmijët e tij”, tha djali Mentori.