Qasja e qeverisë ndaj dialogut, në shpërputhje me seriozitetin e materies

27 qershor 2021 | 16:45

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka kritikuar qasjen e qeverisë ndaj dialogut me Serbinë.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se qasja e kësaj qeverie ndaj dialogut ka qenë krejtësisht në shpërputhje me seriozitetin e materies.

“Nuk kam vlerësim pozitiv për punën e deritashme të kësaj qeverie. Unë e kuptoj se situata ka qenë e rënduar edhe për shkak të pandemisë, por kjo nuk nënkupton që me veprime ose mosveprime këtë situatë ta rëndosh edhe më shumë. Për shembull, qasja e kësaj qeverie ndaj dialogut ka qenë krejtësisht në shpërputhje me seriozitetin e materies. Qëndrimi se dialogu nuk është prioritet, se dialogu është një proces i ri, mosinsistimi që në këtë proces të përfshihen ShBA, kërkesa qesharake për shndërrimin e CEFTA-s në SEFTA, ose ‘zbulimi epokal’ se Kosova qenka për asociacion gjeografik, për vlerësimin tim kanë qenë joserioze”, ka thënë Nitaj.

Ai ka deklaruar se nuk pret marrëveshje të shpejt ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Gjithçka është e mundur, por është pak e besueshme se mund të ketë marrëveshje të shpejtë. Dialogu kurrë nuk ka qenë eksluzivitet i një qeverie. Ajo është temë më e madhe dhe e ka të domosdoshme një platformë nacionale e të harmonizuar me gjithë spektrin”, është shprehur ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dokumente të klasifikuara për mbrojtje, me hollësi rreth anijes ushtarake…