Qazim Laçi: Meritojmë vendin e parë, në Izrael shkojmë për fitore
Kombëtarja shqiptare vijon me përgatitjet intensive në kompleksin “Tropikal” në Durrës. Në konferencën e zakonshme doli edhe Qazim Laçi, i cili shprehu besimin për një sukses të mundshëm në Izrael. Mesfushori theksoi se është gati që të japë kontributin e tij.
“Mund t’i jap shumë fuqi ekipit për të rikuperuar shumë topa dhe ekipi të jetë më shumë agresiv. Ky lloj futbolli i pëlqen edhe më shumë trajnerit dhe po punojmë në stërvitje për të ushtruar sa më shumë presing, për të fituar sa më shumë topa në zonën e Izraelit.
A jam gati për të qenë titullar? – Besoj se po. Ekipi, por edhe unë kemi treguar në të gjitha ndeshjet që kemi bërë, që jemi gati. Në mesfushë ka shumë lojtarë, por të gjithë po përgatitemi shumë mirë. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne dhe duhet të ikim e ta fitojmë.
Sa do të ndikojë presioni te përfaqësuesja jonë përballë Izraelit? – Do kemi pak presion, pasi duam të fitojmë ndeshjen, por nuk besoj se ekipi ka presion për momentin. Po punojmë shumë mirë dhe jemi të gjithë gati për të shkuar në Izrael e për të fituar këtë ndeshje të rëndësishme. Të marrim tre pikët pasi qëllimi ynë është vendi i parë në grup. Të gjithë lojtarët janë përgatitur 100%, nga portieri te sulmuesi nga stafi kuqezi. Të mundohemi të japim maksimumin dhe ta tregojmë në fushë që kemi vlerat dhe dëshirën për të marrë tre pikët që do të na japin shansin të vijmë në Shqipëri e të luajmë kundër Islandës e të fitojmë vendin e parë.
Ajaccio – Jam shumë i kënaqur pasi ka disa vite që ekipi po punonte shumë mirë dhe po luftonte për t’u futur në kategori të parë. ishte kënaqësi për mua që jemi pjesë e Ligue 1, pasi kam 6 vite me këtë ekip dhe ia arrita qëllimit tim. Do më ndihmojë shumë mua, por edhe tek ekipi kombëtar, pasi të gjithë lojtarët luajmë në liga të mëdha të Evropës dhe kjo ngre nivelin e ekipit. Ne e kemi për detyrim që të eci kombëtarja sa më sipër.
Këshillat e trajnerit Reja për mesfushën – Kemi disa lojtarë që mungojnë dhe që e kanë ndihmuar shumë ekipin kombëtar. Dhe trajneri ka bërë disa skema ndryshe në stërvitje. Me këta lojtarë që kemi në dispozicion do të mundohemi të bëjmë më të mirën. Unë besoj që edhe këta lojtarë që janë tani do të japin maksimumin 100% për të fituar këtë ndeshje, që do të jetë shumë e fortë, si fizike, por edhe nga ana e stresit, pasi kemi humbur ndeshjen e parë. Besoj do jemi gati.