![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/Albin-Kurti-DerStandard.jpg)
Që dy muaj Kurti shpërfill ftesën e Prokurorisë Speciale për intervistim
Kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur një ftesë e Prokurorisë Speciale mbërriti në Qeverinë e Kosovës për kryeministrin Albin Kurti.
Dy prokurorë kishin nënshkruar këtë ftesë, duke e thirrur atë për të dëshmuar në lidhje me rastin e rezervave shtetërore, ku ka dyshime për korrupsion në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari.
Pasi Kurti nuk u paraqit në datën e parë të caktuar, më 16 dhjetor 2024 për shkak të një udhëtimi jashtë vendit, Prokuroria përsëriti thirrjen disa ditë më vonë.
Megjithatë, as në ftesën e dytë, kryeministri nuk shkoi fizikisht në Prokurorinë Speciale. Në vend të kësaj, ai u kishte propozuar prokurorëve disa data alternative për t’u intervistuar në objektin e Qeverisë.
Që nga ajo kohë më nuk është përmendur ftesa e Kurit për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale.
Ish-Kryetari i Gjykatës së Apelit: Kurti mund të dënohet me gjobë dhe me masa të tjera nëse nuk paraqitet në Prokurori për dëshmi
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka komentuar çështjen e mosparaqitjes së Kryeministrit Albin Kurti në Prokurorinë Speciale.
Ai theksoi se Prokuroria e ka çuar çështjen në Gjykatë dhe është e drejtë e kësaj të fundit të marrë një vendim në lidhje me këtë çështje. Sipas tij, tani pritet një vendim nga gjykata për të vendosur nëse Kurti do të ftohet që të paraqitet para Gjykatës, ose nëse do të merren masa të tjera
‘’Sigurisht kërkesën e ka bërë Prokuroria në Gjykatë dhe kjo e fundit është ajo që duhet ta marrë këtë vendim për mosparaqitjen e Kurtit në Prokurori lidhur me dëshminë që duhet ta japë për rastin ‘’Rezervat Shtetërore’’. Prandaj tash sigurisht pritet ndonjë vendim nga ana me Gjykatës sa kam unë informata, e cila do të marrë edhe vendim që ai të paraqitet apo do të merren masa të tjera. Pra kjo duhet të shkojë në procedurë të rregullt’’, tha Shala për FrontOnline.
Ai shtoi se, në rast të mosparaqitjes, Kurti mund të dënohet me një gjobë prej 250 eurosh, dhe ky dënim mund të përsëritet për një shumë të ngjashme.
Nëse vazhdohet mosrespektimi i thirrjeve, mund të merren masa të tjera, si shoqërimi i tij në prokurori. Megjithatë, ai theksoi se çdo hap duhet të ndiqet sipas procedurës dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
Beqa: Ligjit nuk mund t’i ikë as Albini e askush tjetër
Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se çështja për dëshminë e Kurtit në Prokurorinë Speciale është në kompetencë të Prokurorisë dhe shteti duhet të funksionojë në përputhje me ligjin. Ai tha se çdo individ, përfshirë Kryeministrin Kurti, duhet të përgjigjet para ligjit.
‘’Kjo çështje është e Prokurorisë, mendoj që shteti duhet të funksionojë dhe duhet të përgjigjet secili para ligjit. Ligjit nuk mund t’i ik as Albini e askush tjetër’’, tha për FrontOnline Beqa.
Beqa shtoi se Kurti ka një detyrim ligjor për t’u përgjigjur ftesës së Prokurorisë, dhe nëse ai nuk e bën këtë, Prokuroria ka të drejtë ta dërgojë atë para organit të akuzës me një urdhër arresti.
‘’Kurti e kam obligim e detyrim ligjor t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë, në të kundërtën obligohet prokuroria t’i lëshoje fletë arrest’’, deklaroi Beqa.
Avokati Jashari: Prokuroria e spostoi ftesën për Kurtin pas zgjedhjeve
Avokati Arbër Jashari ka thënë se Prokuroria mund të ketë spostuar qëllimisht çështjen e thirrjes së Kryeministrit Albin Kurti për dëshmi në Prokurorin Speciale për të shmangur ndikimin në procesin zgjedhor dhe për të mos u përfshirë në debatet publike.
‘’Besoj që prokuroria qëllimshëm e ka spostuar këtë çështje , ndoshta për t’u mos bërë pjesë e debateve dhe mos të jap përshtypje që po ndikon në procesin zgjedhor’’, tha Jashari për FrontOnline.
Ai konsideron se kjo nuk është një çështje urgjente dhe se Prokuroria mund ta thërrasë përsëri Kurtin nëse ata e vlerësojnë se ai ka informata të rëndësishme për hetimin.
‘’Konsideroj se nuk është diçka urgjente dhe prokuroria mundet prapë ta thërras Kurtin nëse ata e vlerësojnë që Kurti ka informata të rëndësishme për hetimi e një çështjeje penale që mund t’i hyjë në punë prokurorisë çfarëdo qofshin ato’’, deklaroi Jashari.
Jashari theksoi gjithashtu se Prokuroria mund të ketë dëshiruar të shmangë interpretime të mundshme që mund të paraqesin Kurti si viktimë ose si një figurë të dobët, varësisht se si e shohin njerëzit situatën.
‘’Fakti që se ka thirre këto ditë mendoj se lidhet me punën se nuk ka dashur të bëhet pjesë e diskursit publik dhe me krijuar përshtypjen sikur qëllimshëm po e dëmton ose po e favorizon Kurtin sepse mund të interpretohet në dy forma, qoftë si një tendencë që ai paraqitet si viktimë ose qofte si tendencë që ai të paraqitet si i dobët, varësisht nga rrethanat apo mënyrës se si e gjykojnë njerëzit’’, potencoi avokati Jashari.
Sipas Jasharit dhe pse nuk dihet saktësisht se çfarë informacionesh kërkoi Prokuroria nga Kurti, fakti që ai është ftuar si dëshmitar tregon se mund të ketë informata të rëndësishme lidhur me çështjen penale. Në fund, Jashari e vlerësoi si të rëndësishme që dëshmia e Kurtit të merret, pavarësisht se ajo mund të ndodhë në një fazë më të vonë të shqyrtimit të çështjes.
‘’Duke qenë se nuk e di saktë çfarë informatash kërkoi prokuroria nga Kurti , nuk e di edhe për pasojat që mund të ketë mos paraqitja për dëshmi por sido që të jetë unë e vlerësoj se vetë fakti që ata e kanë paraparë dëshminë e tij si të rëndësishme dhe kanë konsideruar që ai mund të ketë informata qoftë për veprën penale, qofte për kryerësin apo rrethanat e kryerjes kur e kanë ftuar si dëshmitar mendoj që është relevante që dëshmia e tij të merret gjithsesi’’, përfundoi Jashari.