Që nga paslufta, 117 persona kanë humbur jetën nga minat
Që nga viti 1999 në Kosovë janë pastruar 51 milionë e 216 mijë e 184 metra katrorë tokë dhe janë asgjësuar 88 mijë e 895 mina dhe mjete eksplozive të pashpërthyera.
Nga minat dhe mjetet tjera të pashpërthyera kanë humbur jetën 117 qytetarë si dhe kanë marrë lëndime të rënda 463 veta.
Kështu është bërë me dije me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtare të vetëdijesimit të rrezikut nga minat dhe mjetet e tjera të pashpërthyera.
Në shënimin e kësaj dite kanë marrë pjesë Shkolla Ndërkombëtare e Eliminimit të Mjeteve të Pashpërthyera (EOD) në Kosovë, MAT Kosova, HALO Trust dhe NPA. Shënimi i kësaj dite u organizua dje në Pejë.
Drejtori i Qendrës Koordinuese për Deminim në MFSK, Ahmet Sallova, ka theksuar rrezikun e vazhdueshëm që ekziston nga minat dhe mjetet tjera të pashpërthyera në nivelin global dhe në Kosovë.