Që të mos përsëriten konferenca si ajo e Londrës
Shkruan: Albin Kurti
Sot, kur nëpër media lexojmë se si pushtetarë të lartë po merren vesh për “kompromise të dhimbshme”, nuk mund të mos kujtojmë historinë tonë. Para 105 vitesh, në 29 korrik 1913, u përmbyll Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Gjatë asaj konference fuqitë e mëdha u morën vesh ta ndanin pjesën ballkanase të Perandorisë Otomane mes Serbisë, Bullgarisë, Greqisë e Malit të Zi, dhe njëkohësisht caktoi kufijtë e Shqipërisë duke lënë jashtë saj gjysmën e trojeve të banuara nga shqiptarët dhe rreth 40% të popullsisë shqiptare.
Sekretari i punëve te jashtme të Britanisë së Madhe, liberali Edward Grey i cili drejtoi punimet e Konferencës së Londrës, kur i raportoi parlamentit britanik u shpreh se ishte i vetëdijshëm se kushdo që do t’i shihte kufijtë në të ardhmen, do të ishte kritik ndaj tyre. Ai e përmbylli raportimin për Shqipërinë duke thënë: “Duhet mbajtur në mend se në bërjen e kësaj marrëveshje, rëndësi kryesore pati ruajtja e mirëkuptimit mes vetë Fuqive të Mëdha, e nëse marrëveshja mbi Shqipërinë e arrin këtë, atëherë ka bërë punën më të rëndësishme në interes të paqes në Evropë”. Me të tillë lehtësi të padurueshme ai justifikoi gjymtimin e Shqipërisë dhe kalvarin e gjatë ku po hynin shqiptarët, veç për të arritur paqen në Evropë. Për ironi të fatit, po i njëjti E. Grey, një vit më vonë raportonte para parlamentit britanik se “dritat po shuheshin” dhe se po fillonte Lufta e Parë botërore. Paqja pa drejtësi, nuk është e mundur!
Traktati i Londrës, nënshkruar më 30 maj 1913, përmbledh rezultatet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, e cila u mblodh në dhjetor 1912 për të trajtuar çështjen e Shqipërisë që kishte shpallur pavarësinë pak ditë më parë, si dhe për të ndarë territoret e pushtuara nga fituesit e Luftës së Parë Ballkanike. Kjo konferencë u quajt “e paqes”, megjithatë para se ajo të përfundonte kishte nisur tashmë Lufta e Dytë Ballkanike, e pak pas përfundimit të saj nisi Lufta e Parë Botërore.
Serbia, Bullgaria, Greqia e Mali i Zi e kishin fituar pavarësinë e tyre kohë më përpara, dhe kishin ndërtuar kapacitete shtetërore, diplomatike e ushtarake. Ato ndihmoheshin nga Rusia, Franca e Britania. Ndërsa shqiptarët ishin vonuar shumë, duke shpresuar tek një perandori e sëmurë dhe pa të ardhme, siç qe ajo otomane. Kur Shqipëria shpalli pavarësinë, në atë shpallje u përfaqësuan katër vilajetet me shumicë të popullsisë shqiptare, mirëpo pjesa më e madhe e këtij territori tashmë ishte pushtuar nga forcat ballkanike. Synimi i këtyre forcave ishte marrja e kryeqyteteve të vilajeteve, që shteti i ri shqiptar të mbetej pa qendra ekonomike dhe infrastrukturore. Kështu, Janinës ia mësyu Greqia; Shkodrës, Mali i Zi; Shkupit, Serbia; Manastirit, Bullgaria e Serbia; dhe Selanikut, ku po ashtu kishte popullsi të madhe shqiptare, Bullgaria e Greqia.
Në konferencën e Londrës shqiptarët ishin të papërfaqësuar. Nga fuqitë e mëdha, Austro-Hungaria kishte shprehur interesin e saj për të mos lejuar ekspansionin serb në Adriatik, e po ashtu Italia kishte shprehur interesat e veta në bregun lindor të Adriatikut. Kjo bëri të mundur që, së paku në breg të Adriatikut e deri në luginë të Drinit të Zi, të pranohej një shtet i cunguar shqiptar. Prej kryeqyteteve të vilajeteve, këtij shteti iu kthye vetëm njëri, Shkodra, edhe ajo e cunguar prej kufijve që e shkëpusnin nga hinterlandi i vet ekonomik.
Vonesat e mëdha historike dhe paaftësia politike për të gjetur gjuhën e përbashkët në të mirë të kombit, për pak sa nuk i la shqiptarët pa shtet, e në fund i la me një shtet sa gjysma e territorit ku ata ishin shumicë dërrmuese. Historia nuk fal, dhe rendja e politikanëve shqiptarë pas suksesit dhe pushtetit personal në perandori, e la të varfër e në mëshirë të fatit atdheun e tyre. Populli ka qenë në lartësinë e situatës, sepse shqiptarët e thjeshtë kanë luftuar për të ruajtur trojet e veta, edhe gjatë shekullit XIX edhe gjatë fillimit të atij XX, mirëpo përfaqësuesit e tyre kanë qenë të përçarë, pikë e pesë, të paguar prej fuqive të ndryshme, e gjithnjë përbuzës ndaj intelektualëve rilindas. Kjo ndarje e pushtetarëve shqiptarë prej popullit, bashkë me përbuzjen e tyre për inteligjencën e moralshme kombëtare, vazhdoi të jetë karakteristikë e organizimit tonë politik e shoqëror.
Në këtë 105 vjetor të Konferencës së Londrës, është koha që ta ndryshojmë këtë tipar problematik të politikëbërjes sonë. Një politikë e vëmendshme ndaj nevojave aktuale e historike të popullit tonë, një politikë bashkëpunuese me intelektualët e moralshëm kombëtarë, që të mos përballemi në të ardhmen me vendime si ato të Konferencës së Londrës, ku vendet tona i ndajnë e i shqepin pa na marrë parasysh.