Që të ulet importi, kërkohet mbështetje e eksportuesve vendorë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë me dije se të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë për muajin shkurt të këtij viti, tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 14.1 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 208.6 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 182.8 milionë euro në vitin 2018.
Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin shkurt 2019 kishte vlerën vetëm 24 milionë euro, ndërsa importi 232.7 milionë euro, ku vërehet një rritje prej 7.4 për qind për eksport dhe 13.4 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.
Lidhur me këtë çështje, kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se debalanci kronik në Kosovë është si pasojë e mosmbështetjes direkte të prodhuesve vendorë dhe eksportuesve.
“Prej vitesh kemi debalancë të lartë dhe ende vazhdon që deficiti të jetë 12-14 për qind. Kjo është shqetësuese për ne si eksportues por edhe për Qeverinë e Kosovës. Edhe përkundër që janë marrë disa masa nga Qeveria e Kosovës, masat nuk kanë qenë të duhura për ta stimuluar eksportin”, ka thënë Hasani.
Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës sikurse vendet e rajonit duhet ta subvencionojë në njësi eksportin, në mënyrë që disbalanci kronik të ndryshojë.
“Kemi vendet e regjionit që subvencionojnë direkt eksportin. Turqia për çdo njësi të eksportit e subvencionon me 30 për qind, po ashtu Maqedonia dhe Serbia. Ne dhe Shqipëria jemi një situatë të pafavorshme. Kështu që, aq sa interesohemi për eksport dhe aq sa japim mjete e kemi edhe gjendjen reale”, ka deklaruar Hasani.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se sfidë për Kosovën mbetet mungesa e atasheve ekonomikë.
“Atashetë nëpër ambasada nuk i kemi të caktuar, dhe ata që janë aktualisht nuk i njohin rrjedhat ekonomike të Kosovës. Ata janë familjarë të njerëzve të politikës dhe në një njëfarë forme si kontribuojnë prodhimit vendor, pasi nuk e zotërojnë punën që kanë marrë. Ne duhet të ulemi në një tryezë dhe të diskutojmë se për çfarë mase do të duhej që të subvencionohen prodhuesit vendorë. Produktet që tradicionalisht i kemi prodhuar duhet të subvencionohen për njësi në eksport”, ka thënë Hasani.
Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se politikat në Kosovë shpesh kanë qenë në disfavor të bizneseve.
Ai ka vlerësuar së është e nevojshme që të subvencionohen bizneset prodhuese.
“Debalancin tregtar negativ Kosova e ka më të lartin në rajon dhe kjo si pasojë e krizave të njëpasnjëshme politike dhe ekonomike. Po ashtu kemi edhe politika të pafavorshme karshi konkurrencës. Kosova mbetet një nga vendet më të mëdha sa i përket importeve, para si vendi që konsumon më së shumti produkte të huaja, ndërsa prodhon dhe eksporton më së paku”, ka thënë Shahini.
Ai ka theksuar se trendi negativ që nga paslufta e këndej i shkëmbimeve tregtare do të vazhdojë derisa në Kosovë të kuptohet ekonomia, në mënyrë që sektori privat të jetë promotor i zhvillimit ekonomik.
“Shpesh politikat në Kosovë kanë qenë pengesë për bizneset. Prodhuesit subvencionohen vetëm me një vlerë simbolike në fillim të biznesit si ‘start-up’. Mos të harrojmë se në Serbi subvencionimi për bujqësi është 400 milionë euro, kurse tek ne rreth 50 milionë euro. Këto mjete nuk janë të mjaftueshme dhe kjo bën që ato vende të jenë më të fuqishme karshi konkurrencës. Kosova duhet t’i subvencionojë bizneset pasi në vazhdimësi mblidhen taksa dhe tatime nga bizneset. Kështu që, duhet t’u kthehen bizneseve në një formë që të gjenerohet rritja ekonomike”, është shprehur Shahini.
Albulena S. MAVRAJ