Qehaja: Intervenimi në veri ka qenë i domosdoshëm

28 mars 2018 | 14:41

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka thënë të martën se duhet të zbatohen ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës ndaj të gjithë atyre që prishin integritetin territorial të Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se arrestimi i shefit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka qenë në përputhje të ligjit në fuqi dhe Kushtetutës së Kosovës.

Qehaja ka thënë se arrestimi i Gjuriqit nuk ishte shou, por policia ka pasur urdhër të veprojë ashtu. “Deri tani kemi pritur mjaft dhe kemi qenë të durueshëm, sepse kanë hyrë pa kontroll zyrtarët e lartë të Beogradit në territorin e Kosovës, si dhe kanë mbajtur ligjërata e fjalime të zjarrta shoviniste. Të gjitha këto i kemi duruar më tepër për shkaqe politike dhe diplomatike. Por tani sikur i ka ardhur fundi këtij durimi dhe ne më nuk mund të shikojmë se çfarë bëjnë ata dhe të merremi me pasojat që ata na shkaktojnë. Prandaj plotësisht e përkrahi intervenimin e njësitit special në veri, sepse ka qenë i domosdoshëm. Po ashtu, është bërë një hap drejt asaj që ne t’i tregojmë ‘dhëmbët’ aq sa mundemi si shtet i pavarur”, është shprehur ai.

Qehaja  ka vlerësuar se intervenimi në veri ka qenë sinjal i qartë për Beogradin dhe Vuçiqin se shteti i Kosovës më nuk do t’i durojë dhe do të marrë masa konform ligjit. Sipas tij, destruktiviteti dhe e keqja më e madhe Kosovës po i vjen nga Beogradi zyrtar. Qehaja ka thënë se pas zhvillimeve të fundit nuk ka rrezik për destabilizim të gjendjes në veri. Ai ka folur edhe për largimin e Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës, duke thënë se Kosova duhet të ecë përpara, e jo të qajë pse nuk do të kthehet më në Qeveri apo Kuvend.

“Epoka  e re”: Z. Qehaja, si i komentoni zhvillimet e së hënës në veri të vendit, përkatësisht hyrjen ilegale të Marko Gjuriqit dhe arrestimin e tij nga forcat policore të shtetit të Kosovës?
Qehaja: Për veriun e Kosovës kam bërë shumë shkrime, analiza, vlerësime e sugjerime dhe nuk dua të hyj në detaje. Por, me një fjalë, veriu i Kosovës deri në ditët e sotme na ka mbetur jashtë kontrollit shtetëror dhe për këtë shkaqet janë të shumta. Marrë në tërësi, gjendja e sigurisë në atë pjesë të territorit të Kosovës është e brishtë dhe destabilizuese, sepse atje Beogradi po e zbaton politikën e vet nacionaliste dhe shoviniste ndaj shqiptarëve dhe ndaj Republikës së Kosovës. Deri tani kemi pritur mjaft dhe kemi qenë të durueshëm, sepse kanë hyrë pa kontroll zyrtarët e lartë të Beogradit në territorin e Kosovës, si dhe kanë mbajtur ligjërata e fjalime të zjarrta shoviniste. Të gjitha këto i kemi duruar më tepër për shkaqe politike dhe diplomatike. Por tani sikur i ka ardhur fundi këtij durimi dhe ne më nuk mund të shikojmë se çfarë bëjnë ata dhe të merremi me pasojat që ata na shkaktojnë. Prandaj plotësisht e përkrahi intervenimin e njësitit special në veri sepse ka qenë i domosdoshëm. Po ashtu, është bërë një hap drejt asaj që ne t’i tregojmë ‘dhëmbët’ aq sa mundemi si shtet i pavarur, që do të thotë se duhet të zbatohet ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës ndaj atyre të cilët e prishin integritetin territorial të Kosovës.

“Epoka  e re”: Ishte ky një mesazh i qartë se Kosova do të veprojë tash e tutje si shtet në rast se zyrtarët serbë tentojnë të hyjnë pa leje?
Qehaja: Ky ishte një sinjal shumë i qartë për Beogradin zyrtar dhe për Vuçiqin që shteti i Kosovës më nuk do t’i durojë dhe do të marrë masa konform ligjit. E tërë ajo që ka ndodhur të hënën ka qenë konfrom ligjit në fuqi dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ata po thonë se policia ka qenë e vrazhdë, por unë jam ushtarak profesionist dhe mund të them se policia nuk të ledhatojë. Ajo i kryen detyrat dhe nuk i intereson nëse të dhëmbë ty dora. Policisë i intereson ta kryejë detyrën e vet ashtu siç është urdhëruar. Prandaj e arsyetoj ndërhyrjen e njësitit në veri, dhe duhet ditur se nuk ka lojë me polici. Kështu që, mendoj se ka ardhur momenti që vërtet Kosova të veprojë si shtet. Ne kemi policinë, FSK-në dhe forcat e tjera të sigurisë që mund t’i përdorim.

“Epoka  e re”: Pas këtyre zhvillimeve ka rrezik për destabilizim të gjendjes në veri?
Qehaja: Serbët në veri do të bëjnë skena të ndryshme, përfshirë këtu edhe barrikadat. Beogradi zyrtar me veprimet e veta është duke e destabilizuar situatën e sigurisë në Kosovë. Përkundër zhvillimit të bisedimeve në Bruksel për normalizim të raporteve, veprimet konkrete të Vuçiqit ndaj territorit të Kosovës janë armiqësore, shkatërruese dhe destabilizuese. Prandaj nuk ka vend për shqetësim. Ata duhet t’i shikojnë punët e veta atje dhe nuk duhet të përzihen në punët e brendshme të Republikës së Kosovës, sepse ne do ta mbrojmë me çdo kusht integritetin territorial të Republikës së Kosovës.  

“Epoka  e re”: Z. Qehaja, sipas disa analistëve, e gjithë ngjarja që ka ndodhur në veri ka qenë një lloj skenar i përgatitur nga presidenti Thaçi. Pra, sipas tyre, është një parapërgatitje psikologjike për qytetarët për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Mund të jetë e vërtetë një gjë e tillë?
Qehaja: Nuk dua të hyj në këtë konstatim, edhe pse më ka shkuar mendja në atë drejtim, por nuk kisha thënë se kjo ngjarje ka qenë inskenim. Ka qenë një ndërhyrje në punët tona të brendshme dhe nuk mundet një i ashtuquajtur shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, të bëjë çfarë të dëshirojë në territorin e Republikës së Kosovës. Prandaj e parapëlqej këtë mënyrë të kundërvënies ndaj këtyre destabilizimeve që po na bëhen nga Serbia dhe zyrtarët e saj.

“Epoka  e re”: Ka pasur vërejtje edhe për mënyrën se si policia ka sjellë Gjuriqin në stacionin policor në Prishtinë. Ky veprim është cilësuar si shou.
Qehaja: Këtu nuk ka pasur shou, policia ka pasur urdhër që të veprojë ashtu. Keni parë që edhe të tjerët që kanë bërë më pak vepër penale i kanë pasur prangat në duar. Prangat ia kanë vënë edhe Ramush Haradinajt në Francë. Do të thotë këtu nuk ka diçka spektakulare. Disa e shtruan pyetjen pse u  sjell Gjuriqi në stacionin policor dhe u depërtua menjëherë në territorin e Serbisë? Kjo është çështje politike, për të cilën nuk dëshiroj të flas.

“Epoka e re”: Z. Qehaja, ky zhvillim mund të përdoret për përfitime politike nga Serbia?
Qehaja: Serbia do t’i përdorë këto për përfitime politike, por edhe ne do t’i përdorim për përfitime politike, sepse jemi në vetëmbrojtje të territorit tonë. Prej çlirimit e këndej jemi duke u mbrojtur prej destruktivitetit serb edhe në arenën ndërkombëtare, sepse nuk po e lejon Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Pra, po e pengon Kosovën në shumë zhvillime të rëndësishëm nëpër botë. Ne më tepër po merremi me çështjen e Beogradit zyrtar që vepron si destabilizues në Kosovë sesa me çështjet e tona të brendshme siç është zhvillimi ekonomik dhe të tjerat. Destruktiviteti dhe e keqja më e madhe neve po na vjen nga Serbia zyrtare.

“Epoka e re”: Si rezultat i zhvillimeve të fundit, Lista Serbe është larguar nga Qeveria e Kosovës.
Qehaja: Tashmë Lista Serbe ekziston dhe ka rolin e saj, mirëpo nëse nuk dëshiron të jetë pjesë e Qeverisë Haradinaj dhe pjesë e Kuvendit të Kosovës, kjo është çështje e saj. Ne duhet të ecim përpara, duhet të punojmë e veprojmë dhe jo të qajmë pse ata nuk do të kthehen më në Qeveri apo Kuvend.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në një…