Qehaja: S’ka rezultate në teste pa ndryshimin e sistemit të arsimit

29 maj 2018 | 19:19

Rinor Qehaja nga Instituti i arsimit “EdGuard” duke folur për mbarëvajtjen e testit të Maturës Shtetërore dhe mbarëvajtjen e tij, ka thënë se nuk ka rezultate të mira pa ndryshimin e sistemit të arsimit.

Ai ka thënë se Ministria e Arsimit gjatë këtyre viteve ka punuar vetëm në arritjet nëpër teste dhe jo në ndryshimin e sistemit të arsimit që do të kishte sjellë ndryshim substancial edhe në vlerësimet ndërkombëtare për cilësinë e arsimit në Kosovë.

“Ministria e ka si përkushtim për të ndryshuar arritjet në teste dhe jo në ndryshimin e sistemit. Kjo është për keqardhje”, ka thënë Qehaja kur është pyetur nëse do të ketë rezultate pozitive në testin e PISA-s që është mbajtur sivjet me nxënësit nga Kosova.

“Ndryshimi i vërtetë ndodh kur sistemi i arsimit ndryshon në cilësi. Mund të ketë përmirësime në dy-tri pozita [në vlerësimet e PISA-s], por nuk do të ketë ndryshim substancial”, ka thënë ai në “KTV”.

Qehaja ka folur edhe për mbarëvajtjen e Testit Kombëtar për sivjet.

Ai ka thënë se vetëm në rajonin e Prishtinës janë bërë 490 postime me pyetjet e shpërndara nëpër rrjetet sociale.

“Kemi administratorë që kanë bërë shkelje, por kanë vazhduar ta kryejnë këtë punë edhe më tej. Pastaj kemi rigorozitet selektiv, kemi klasa që janë rigoroze dhe kemi klasa që nuk zbatojnë rregullat. Është e padrejtë që nxënësit të qëllojnë në klasa ku janë të vëzhguar me rigorozitet dhe me një klasë tjetër kolegu i tij të ketë më shumë pikë shkaku i jorigorozitetit të administratorit”, ka sqaruar Qehaja.

Nëse Ministria e Arsimit vlerëson se nuk ka kapacitet për administrimin e testeve, Qehaja ka këshilluar që të kontaktojë kompani ndërkombëtare për mbarëvajtje të testit, përndryshe, do të vazhdohet të evidentohen këso shkelje të rregullave gjatë testeve.

“Me arnime të tilla që të lejohet një telefon [te nxënësi] dhe jo telefoni i dytë, më duket më shumë si improvizim i standardeve”, ka thënë ai.

Këtë vit testi i maturës do të mbahet në katër regjione, në katër ditë të ndryshme, ku pyetjet e testit nuk do të jenë të njëjta, por do të jenë ekuivalente për nga vlera.

Për të shmangur çdo formë të kopjimit gjatë testit të maturës, komisioni ka marrë vendim që për nxënësit dhe për administruesit e testit të ndalohet posedimi i telefonit gjatë ditës kur do të mbahet testi.

Në rast se gjatë ditës së testit, nxënësit apo administratorët do të zihen me telefon apo duke tentuar të manipulojnë do të ketë ndëshkime.
MASHT me të gjithë administratorët ka bërë kontrata përmes të cilave iu ka bërë e qartë atyre se nëse do të keqpërdorin detyrën do të humbin të drejtën për administrim të çfarëdo lloj testi në të ardhmen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka…