Qehaja: Veprimet e Serbisë përbëjnë kërcenim për Kosovën dhe rajonin
Njohësi i rrethanave ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Serbi, ku presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, në deklarimet për media kishte pohuar se ka dhënë urdhër që ushtria të vihet në gatishmëri luftarake për shkak të vizitës së presidentit, Hashim Thaçi, në liqenin e Ujmanit.
Sipas tij, ky urdhër përbënë kërcenim klasik ushtarak për Kosovën por edhe për rajonin.
Qehaja ka theksuar se për këtë vëmendja e Kosovës duhet të jetë e përqendruar në ndërmarrjen e masave adekuate të sigurisë për vetëmbrojtje.
“Të urdhërosh ushtrinë që të vihet në gatishmëri luftarake për shkak se policia e Republikës së Kosovës dje me datë 29 shtator paska kontrolluar një qendër sportive dhe humanitare në veri të vendit, përbënë kërcenim klasik ushtarak për Kosovën por edhe për rajonin. Një ngritje të tillë të gatishmërisë luftarake mund ta japin vetëm elita ekzistuese politike serbe, e kamufluar me petkun e integrimit në BE. Këto veprime lenë të kuptohet se Serbia vazhdon të konsideron një pjesë të Kosovës, përkatësisht veriun e saj si pjesë përbërëse të saj dhe vepron në çdo formë për të demonstruar kontrollin e saj. S’do mend se një qasje e tillë e Serbisë zyrtare në momentin aktual është me tepër se destabilizim. Për këtë vëmendja e jonë duhet të jetë e përqendruar në ndërmarrjen e masave adekuate të sigurisë për vetëmbrojtje. Nisma e krijimit të ushtrisë së Kosovës në fund të vitit dhe krijimi i kapaciteteve defanzive të mbrojtjes janë në këtë frymë”, ka shkruar Qehaja në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/