Qelaj kërkon të mos zvogëlohet buxheti për Avokatin e Popullit
Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka votuar raportin vjetor financiar të Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj derisa ka prezantuar raportin financiar për vitin 2019, ka theksuar se realizimi total i buxhetit është 92.5 për qind, ndërsa buxheti përfundimtar për paga dhe mëditje është 923 mijë euro.
“Avokati i Popullit mandatin e vet kryesisht e realizon si mision të vetëm ku ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave njerëzore. Numri i personave në ankesat që janë paraqitur janë 9,468 personave, numri i rasteve për hetime 943, numri i përgjithshëm i rasteve të mbyllura për vitin 2019 është 849. Sipas procedurave kemi bërë deklarimin e kursimeve prej 142 mijë euro. Realizimi total i buxhetit është 92.5 për qind. Sipas procedurave ligjore institucioni ka bërë deklarimin për paga dhe mëditje prej 50 mijë euro, ndërsa buxheti përfundimtar për paga dhe mëditje është mbi 923 mijë euro”, ka thënë ai.
Qelaj ka paraqitur një shqetësim për buxhetin e vitit 2021, ku ka kërkuar që të aprovohet dhe të mosshkurtohet buxheti për këtë insitucion me qëllim që ta realizon me sukses mandatin.
“Me ndryshimet ligjore që janë bërë, mandatit të Avokatit të Popullit i janë shtuar shumë obligime. Me qëllim të realizimit me sukses të mandatit, kërkojmë që kërkesa buxhetore të aprovohet dhe të mos shkurtohet siç ka ndodhur. Për të ardhmen nuk është planifikuar rritje e pagave brenda institucionit tonë, por është paraparë shtim i stafit”, është shprehur Qelaj.
Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar që të jenë racional dhe të arsyeshëm në kërkesat e Avoktit të Popullit.