Qemajl Mustafa ka vendosur të kthehet në krye të udhëheqjes së PDK-së në Gjilan
Qemajl Mustafa ka bërë me dije se do t’i hyjë garës për kryetar të degës së PDK-së në Gjilan për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, i ka bërë thirrje anëtarësisë që ta shprehni vullnetin dhe të marrin pjesë në procesin e brendshëm zgjedhor, i cili sipas tij do të jetë i hapur dhe plotësisht demokratik.
Postimi i plotë i Qemajl Mustafës:
Të nderuar miq, aktivistë e simpatizantë të degës së PDK-së në Gjilan dhe qytetarë të Komunës së Gjilanit,
Besojmë, jeni të njoftuar se pas pak ditësh do të fillojë procesi zgjedhor brenda degës së PDK-së në Gjilan.
Nëpërmjet kësaj paraqitje publike dua t’ju njoftoj se pas konsultimeve me strukturat e partisë në degë e në qendër, me qytetarë të komunës tonë dhe pas vlerësimit të kërkesave aktuale të degës së PDK-së në Gjilan dhe shoqërisë së komunës në përgjithësi, kam vendosur që të shpreh pretendimin tim për udhëheqjen e degës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Pavarësisht sfidave personale dhe kolektive nga e kaluara dhe sidomos nga ato që na presin, konsideroj që vullneti i qytetarëve dhe anëtarësisë është themeli i motivimit për mua dhe për secilin prej nesh që të marim përgjegjësi edhe në kohë e periudha të rënda për shoqërinë tonë.
Ju ftoj sinqerisht të gjithëve, pa dallim përkatësie politike deri më sot, ta shprehni vullnetin dhe të merrni pjesë në procesin tonë zgjedhor i cili do të jetë i hapur dhe plotësisht demokratik. Dekadën e Re do ta fillojmë dhe ndërtojmë së bashku, me mendësi reformuese, prosperuese dhe zhvillimore!
Këtë angazhim timin në këtë moment, me plotë zemërgjërësi, ia dedikoj plotësisht qytetarisë së komunës tonë dhe të shoqërisë së Kosovës pa dallim.
Fitorja e qytetarëve të Gjilanit s’ka alternativë!
I juaji përherë,
Qemajl Mustafa