Qendra “George C. Marshall” ofron përkrahje për FSK-në
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha, ka pritur të martën në një takim drejtorin e Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall”, Keith W. Dayton.
Ministri Berisha, me këtë rast, ka falënderuar drejtorin e Qendrës “Marshall” për vizitën dhe mbështetjen që i ka dhënë kjo qendër FSK-së për një kohë të gjatë, duke i trajnuar dhe përgatitur një numër të madh të pjesëtarëve të saj në Qendrën Marshall në Garmish të Gjermanisë.
Gjatë takimit, ministri Berisha dhe drejtori Dayton, biseduan për vazhdimin e bashkëpunimit në mes FSK-së dhe Qendrës “Marshall”.
Po ashtu, ministri Berisha ka njoftuar Dayton edhe me zhvillimet e përgjithshme të FSK-së, në veçanti ka folur për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rajonal, bashkëpunimin me NATO-n, Gardën Kombëtare të Ajovës, NALT-in, (Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s për MFSK/FSK-në), memorandumet e bashkëpunimit me shtetet anëtare të NATO-s, plotësimin e kapaciteteve operacionale, integrimin e pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë në FSK, si dhe për zhvillimet rreth procesit të transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, duke vlerësuar padyshim kontributin e ekspertëve amerikanë në këtë drejtim.
Ndërkaq drejtori i Qendrës “Marshall”, Keith Dayton, duke falënderuar ministrin Berisha për pritjen, ka shprehur edhe kënaqësinë e tij për arritjet e FSK-së.
Ai njëherazi ka lavdëruar edhe pjesëtarët e FSK-së për sukseset e treguara gjatë shkollimit të tyre në Qendrën “Marshall”.
Gjithashtu, drejtori i Qendrës “Marshall” ka premtuar se mbështetja për mekanizmat e sigurisë do të vazhdojë, dhe se bashkëpunimi me FSK-në do të thellohet edhe më tepër.