Qendra ‘Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur’ angazhohet që e vërteta për gjenocidin serb të pranohet botërisht
Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur” ka përkujtuar 15 janarin, Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë.
Kjo qendër nëpërmjet një deklarate ka bërë me dije se do të angazhohet që vërteta për gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë të pranohet botërisht.
“Sot, më 15 janar, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, përkujtojmë civilët e vrarë 21 vjet më parë në fshatin Reçak, përkujtojmë të gjitha viktimat e masakrave në Prekaz, në Likoshan, në Qirez, në Abri, në Podujevë, në Suharekë, në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, në Celinë në Mejë dhe qindra masakra që ndodhën para dhe pas 15 janarit 1999”, është thënë në deklaratën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”.
Deklarata e plotë e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”:
Me rastin e Ditës së përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë
DEKLARATË
Më 15 janar të vitit 1999 ndodhi njëra ndër masakrat më të tmerrshme që kishte përgatitur Serbia kundër shqiptarëve në Kosovë. Masakra ndaj civilëve shqiptarë të Reçakut i dëshmoi botës se Serbia nuk e kishte ndërmend të hiqte dorë nga realizimi i projektit të gjenocidit. Pikërisht akti gjenocidar i kryer në Reçak, mobilizoi qendrat vendimmarrëse në marrëdhëniet ndërkombëtare, që t’i japin fund një herë e përgjithmonë politikës që kishte për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si komb.
Sot, më 15 janar, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, përkujtojmë civilët e vrarë 21 vjet më parë në fshatin Reçak, përkujtojmë të gjitha viktimat e masakrave në Prekaz, në Likoshan, në Qirez, në Abri, në Podujevë, në Suharekë, në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, në Celinë në Mejë dhe qindra masakra që ndodhën para dhe pas 15 janarit 1999.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” do të vazhdojë angazhimet e veta në dy drejtime me qëllim që :
1. E vërteta për gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë të pranohet botërisht,
2. Të ngadhënjejë drejtësia për të gjitha viktimat e gjenocidit, për ata mijëra fëmijë, gra, pleq, plaka dhe shqiptarë të të gjitha moshave që u vranë mizorisht nga forcat e armatosura të Serbisë, për ato dhjetëra mijëra femra shqiptare të përdhunuara seksualisht dhe për poshtërimet që u janë bërë rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e tyre.
Gjenevë, më 15 janar 2020
/Epoka e re/
https://www.facebook.com/kosovogenocide/photos/a.1517718141701509/1658889584251030/?type=3&theater