Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”: Bashkërisht të kundërshtojmë shfajësimin e Serbisë për krimin e gjenocidit!
Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” ka bërë thirrje që bashkërisht të kundërshtojmë shfajësimin e Serbisë për krimin e gjenocidit, duke iu referuar dy rasteve të fundit, ku Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi me 15 vjet burgim Muharrem Alidemajn për pjesëmarrje në krime lufte gjatë vitit 1999 për vrasjen e mbi njëqind shqiptarëve, në fshatin Izbicë të komunës së Skenderajt dhe me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviqin, për pjesëmarrje në krime lufte të vrasjes së 16 shqiptarëve dhe keqtrajtimit të 84 shqiptarëve të tjerë, në komunën e Istogut.
“Të dashur të mbijetuar të gjenocidit! Të dashur familjarë të viktimave të gjenocidit në Kosovë! Të dashur qytetarë të Kosovës! Të nderuar juristë, historianë dhe intelektualë të fushave të ndryshme! Të nderuar drejtues të mediave në gjuhën shqipe! Më 12 korrik 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi me 15 vjet burg Muharrem Alidemajn për pjesëmarrje në krime lufte gjatë vitit 1999 për vrasjen e mbi njëqind shqiptarëve, në fshatin Izbicë të komunës së Skenderajt. Më 17 korrik 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi me 12 vjet burg Ekrem Bajroviqin, për pjesëmarrje në krime lufte të vrasjes së 16 shqiptarëve dhe keqtrajtimit të 84 shqiptarëve të tjerë, në komunën e Istogut. Duke i kualifikuar si krime lufte, aktet gjenocidale që kanë kryer forcat serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, gjykatat themelore të Kosovës shfajësojnë Serbinë për krimin e gjenocidit që ka kryer gjatë luftës 1998-1999. Siç e kemi sqaruar në reagimet tona, kualifikimi i tillë ligjor i veprës është në kundërshtim të plotë me natyrën e fakteve materiale dhe paraqet shkelje të rëndë të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”, është thënë në reagimin e kësaj qendre.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” në këtë reagim ka theksuar se ka alarmuar për këtë rrezik që këto vendime të përdoren nga mohuesit e gjenocidit në Kosovë si argument i jurisprudencës së gjykatave vendore, se gjoja në Kosovë nuk ka ndodhur gjenocid, por vetëm krime të shkallës më të ulët: krime lufte, dhe në këtë mënyrë t’i mbyllet rruga mundësisë për të paditur Serbinë për krimin e gjenocidit që ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Prandaj e shohim të domosdoshme që bashkërisht të kundërshtojmë shfajësimin e Serbisë për krimin e gjenocidit”, është theksuar në reagimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”.
Linqet e reagimeve të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”: