Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni” pajiset me mamograf
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni”, është bërë të enjten ceremonia solemne e pranim-dorëzimit të mamografit.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Veseli Makolli, nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, drejtori i QKMF-së “Dr. Nexhat Çuni”, Fevzi Sylejmani, drejtoresha e OJQ “Mundësia”, Hasime Tahiri, përfaqësues nga BIK-u, përfaqësues nga Policia e Kosovës, stafi mjekësor i QKMF-së si dhe pjesëmarrës të tjerë.
Fillimisht fjalën e mori drejtoresha e OJQ “Mundësia”, Hasime Tahiri, e cila tha se ndihem shumë e emocionuar që është bërë blerja e mamografit, nga iniciativa e vetë organizatës së saj prandaj ndihet edhe e lumtur që kjo iniciativë është jetësuar. Për këtë gjë falënderoi shumë komunën e Mitrovicës, komunën e Skenderajt, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përfaqësues të BIK-ut, përfaqësues të policisë dhe gjithë kontribut dhënësit e tjerë që kanë marrë pjesë në fushatën për mbledhjen e fondeve të mamografit.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka thënë se është kënaqësi e veçantë që sot përurojnë një mjet digjital i cili është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Mitrovicës dhe të rajonit.
Po ashtu kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka uruar të gjithë qytetarët e Mitrovicës dhe ata të Skenderajt për blerjen e mamografit, duke thënë se ka qenë shumë i nevojshëm si dhe ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar në blerjen e tij.
Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj-Barani, ka theksuar se ndihet jashtëzakonisht mirë qe pas pesë vitesh Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë më në fund u pajis me mamograf.
Ajo ka falënderuar OJQ “Mundësia” e cila ishte inicuese për blerjen e kësaj aparature.